Gjergj Vyshka 09.09.2016 13:25
Sot në ora 12:00 në mjediset e Federatës Shqiptare të Volejbollit do të hidhet shorti i kampionatit të ri të meshkujve dhe të femrave, që sipas të gjitha gjasave nis më 1 tetor. E reja është se pjesë e skuadrave të meshkujve do të jenë Partizani, Erzeni dhe Iliria e Fushë-Krujës. Që do të thotë se do të jenë 10 skuadra së bashku me Studentin kampion në fuqi, Tiranën, Farka Volejin, Teutën, Vllazninë, Skënderbeun dhe Elbasani.
Ndërkohë nuk ka ndryshuar asgjë në grupin e vajzave, atje ku në nivelin më të lartë, që njihet si grupi A1, do të jenë 8 ekipe, teksa krahas Barletit Volej, Tiranës, Partizanit, Teutës, Skënderbeut, Vllaznisë dhe Elbasanit do të jetë edhe Lushnja. Ndërsa Flamurtari i është bashkuar nivelit të dytë, grupit A2, që në përbërje ka Korabin, Studentin, Dinamon, Minatorin, Vlora Volejin, Apoloninë dhe Divjakën.
Të gjitha këto skuadra do të përbëjnë sezonin 2016-2017 të volejbollit shqiptar, që në fakt siparin e tij do ta ngrejë më 23 shtator kur dhe do të organizohet Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila do të finalizohet me dy finalet, meshkuj dhe femra, më 25 shtator.