Gjergj Vyshka 27.03.2016 13:30
Umit Sokullu, presidenti i komisionit të gjyqtarëve në Federatës e Volejbollit të Turqisë, e Onur Hosnut, gjyqtar ndërkombëtar, kanë sjellë përvojën e tyre për gjyqtarët e volejbollit shqiptar. E kjo ka ndodhur në seminarin dyditor që ka nisur dje në mjediset e Hotel “Doro City”. Në këtë seminar është trajtuar tema: “Përgatitja psikologjike e ndeshjes, interpretimet të instruksioneve dhe udhëzimeve të rregullores dhe menaxhimit të lojës”.
E kjo ka qenë e ndarë në përgatitja e lojës, aspektet psikologjike të gjykimit, përgatitja mendore, përgatitja teknike, dita e ndeshjes, bashkëpunimi ndërmjet gjithë trupës gjykuese, përgatitja në fushë, gjykimi i ndeshje, mbajtja e përqendrimit gjatë gjithë ndeshjes, përgatitja dhe menaxhimi i sfidave, menaxhimi i lojës dhe në fund përballja me spektatorët, protokollet për sjelljet antisportive. Në anën praktike që do të zhvillohet sot do të jetë interpretimi i detyrave të gjyqtarit të parë, të dytë, anësorëve, sekretarëve, si dhe ndryshimet e reja të në rregullat e lojës.
E kjo do të trajtohet nëpërmjet protokollit të ndeshjes, bashkëpunimit mes gjyqtarit të parë dhe të dytë shenjat, mbajtja e topit, loja në dhe nën rrjetë, loja me top mbi lartësinë e rrjetës, koordinimi ndërmjet gjyqtarëve, mekanika e shenjave, pozicioni dhe lëvizja e gjyqtarit të dytë, aplikimi i rregullave të reja në rrjetë. Seminari në fillim është përshëndetur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i cili i ka uruar mirëseardhjen miqve turq.
“Ne kemi marrë disa masa për rritjen cilësore të gjyqtarëve dhe ky nuk do të jetë seminari i parë, sepse të tillë do të kemi dhe pas kampionatit, – ka thënë ai. – Shpresoj që t’iu vlej”. Ndërkohë Sokullu ka sjellë eksperiencën e tij si gjyqtar ndërkombëtar, ndërsa këtu nuk bëhet fjalë për një punë fitimprurëse. “Së pari në emër të presidentit të Federatës së Volejbollit të Turqisë, më duhet të them që shtetet tona i lidh një miqësi shekullore dhe do të mundohem të sjellë frymën e gjykimit në Turqi për ju”, – ka thënë ai.
“Ndërsa e keni pasur volejbollin në nivele të larta, shpresoj që ta keni kështu dhe në vazhdim”, – ka theksuar Sokullu, i cili, më pas ka vazhduar: “Unë kam qenë gjyqtar për 17-18 vjet në nivele të larta. Kam gjykuar gati 320 ndeshje dhe kam fituar 65 mijë dollarë që janë fare pak. Kam qenë pjesëmarrës në dy Lojëra Olimpike, katër kampionate evropiane, 30 edicione në kampionatin turk, pjesëmarrje në Kampionate Botërore dhe veprimtari klubesh evropiane.”
“Mirëpo nëse jam këtu ka ardhur gjithçka nga disiplina, marrëdhëniet korrekte me trajnerë, skuadra dhe tifozë, – ka pohuar ish-gjyqtari turk. – E gjithë ideja është që të gjithë këtë eksperiencë kam dëshirë ta ndaj me ju”. Po kështu ka folur dhe Hosnut, i cili ka bërë të ditur se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Volejbollit, sepse do të ketë edhe të tjera në vazhdim. E seminari i gjyqtarëve do të mbyllet sot.
Ndërkohë kanë munguar ndërkombëtarët Altin Telo dhe Erjon Mujo, të cilët edhe duke mos firmosur kontratën e shërbimit me Federatën Shqiptare të Volejbollit nuk janë pranuar për të marrë pjesë. Sidoqoftë, seminari i gjyqtarëve të volejbollit shqiptar ka vijuar normalisht.