Gjergj Vyshka 12.03.2016 22:05
Pas përfundimit me sukses të finaleve të Kupës së Shqipërisë dhe në vigjilje të fazës së tretë të Kampionatit Kombëtar për të rritur, Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Komisioni Tekniko-Gjykues i saj kanë organizuar seminarin e dyte teorik për gjyqtarët e rinj në mjediset e Hotel “Doro City”. Ky seminar është në vijim të përpjekjeve që Komisioni Tekniko- Gjykues bën për rritje cilësore të gjyqtarëve të rinj, të cilët kanë gjetur dhe mbështetjen e Federatës.
Seminari synonte ndërtimin dhe funksionimin e platformave të diskutimit për aspekte të ndryshme të gjykimit dhe menaxhimit të lojës duke gërshetuar eksperiencën e gjyqtarëve ndërkombëtar dhe atyre të kategorisë së parë me gjyqtaret e rinj. Në takim morën pjesë gjyqtarët e rinj nga gjithë Shqipëria dhe u fokusua në diskutimin e rregullave: “Aksionet e Lojës”, “Ndërprerjet Vonesat dhe Intervalet”, “Lojtari i lirë” dhe “Sjellja e pjesëmarrësve”.
Gjyqtarët ndërkombëtar Konalsi Gjoka, Igli Fështi dhe Endri Zguri, përmes prezantimeve, diskutimeve dhe materialeve filmike, kanë nxitur dhe iniciuar diskutimin dhe interpretimin e rasteve të ndryshme që lidheshin me rregullat e mësipërme. Seminarin e përshëndeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHV-së, Albens Vokopola, i cili theksoi mbështetjen dhe përkrahjen që FSHV do t’u japë gjyqtarëve të rinj si pjese integrale e të gjitha veprimtarive që organizon.
Gjithashtu u theksua fakti që tashme FSHV-ja është duke ndërtuar me shumë kujdes një platformë edukimi më vete përsa i përket ngritjes dhe përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së gjykimit. Aktiviteti i ardhshëm në këtë drejtim do të jetë seminari që do të organizohet nga FSHV me mbështetjen e Federatës Turke të Volejbollit në kuadër të bashkëpunimit tashmë të vendosur ndërmjet dy federatave.