AlbanianSport.com 23/01/2021 19:25
ASNN – Familja e volejbollit shqiptar ka marrë sot një lajm i trishtë, teksa, pas një sëmundjeje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare Ali Bushati. Ai u lind më 24 tetor 1942 dhe gjithë jetë e tij ia kushtoi volejbollit, fillimisht si sportist e më pas si trajner.
Ai ka zhvilluar rreth 60 ndeshje ndërkombëtare, 25 prej të cilave me ekipin kombëtar të. Në vitet 1960-1970, Vllaznia e udhëhequr nga Bushati si trajner/lojtar, ka rivalizuar denjësisht me Dinamon e asaj periudhe, duke dhuruar ndeshjet dhe përballje të bukura në volejbollin e meshkujve.
Vllaznia e Ali Bushatit e ka fituar edhe 3 herë trofeun e Kupës së Republikës, në vitet 1967, 1969 dhe 1970, duke triumfuar në finale pikërisht ndaj Dinamos. Ali Bushati ishte nderuar me disa tituj, të tillë si “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit shqiptar 2000”.
Po kështu, ai është nderuar nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh i punës” për meritat e tij të jashtëzakonshme për volejbollin shkodran e atë shqiptar. Ali Bushati ka ndërruar jetë në moshën 78- vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë, nga e cila vuante prej gati një muaji.
I shtruar në Spitalin Rajonal Shkodër, me shpresën e përmirësimit të shëndetit të tij, ai mbylli sytë përgjithmonë, por duke lënë gjurmë të pashlyeshme si një sportist elitar. Në emër të familjes së madhe të volejbollit, FSHV i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjles Bushati!