Gjergj Vyshka 02.11.2016 09:45
Volejbolli shqiptar, por dhe shumësportëshi në përgjithësi, do t’i rikthehet ekranit të Televizionit Shqiptar. Kështu do të ndodhë të premten, ndërsa Federata Shqiptare e Volejbollit, nëpërmjet informacionit të shpërndarë për mediat, ka lajmëruar se kryendeshja e javës së 6-të, mes Studentit e Partizanit, do të transmetohet duke nisur nga ora 17:00, në Rrjetin e RTSH-së.
Në fakt në kalendar ka qenë e caktuar për në ora 18:00, por që kjo nuk ka krijuar probleme, ndërsa është afruar një orë përpara dhe gjithçka do të transmetohet në ekranin publik. Të paktën këtë e ka konfirmuar dhe drejtori i departamentit të sporteve në TVSH, Pano Xhixho, ndërsa kishte 4 javë që volejbolli e basketbolli nuk vinte në ekran për teleshikuesit.
Është dhënë në javën e parë të kampionatit të volejbollit të meshkujve, Partizani-Tirana, kurse për basketbollin gjithçka ka mbetur tek ndeshja e Ligës Ballkanike të koshit më 10 tetor, Tirana-Trepça e Mitrovicës. Dhe ky “black-out”, edhe pse marrëveshjet mes Federatave dhe Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar ekzistojnë, ka ardhur për shkakun se klubet nuk krijonin kushtet me infrastrukturën e tyre zero.