AlbanianSport.com 21/12/2017 15:35
ASNN – Për volejbollisti kuqezi, Redi Koçi kjo gjysmë e dytë e vitit 2017 ka qenë mbresëlënëse. Ai ka qenë thuajse çdo jave në formacionin më të mirë të kampionatit finlandez të volejbollit të meshkujve dhe ka një mesatare prej 14.4 pikësh të realizuara për çdo ndeshje. Forma e tij është një dimension i shtuar edhe për Kombëtaren kuqezi të volejbollit të meshkujve, që është angazhuar për një pjesëmarrje të zgjeruar në veprimtaritë ndërkombëtare të vitit të ardhshëm.
Viti 2017 është mbyllur me një vend të 4-t në renditje, me 10 fitore dhe 6 humbje, por edhe me një paraqitje të jashtëzakonshme personale në atë që për Redi Koçin, ishte sezoni premierë në kampionatin finlandez të volejbollit të meshkujve. Sportisti që erdhi nga skuadra surprizë e volejbollit të meshkujve të këtyre 5 viteve të fundit, Farka Volej, dhe u zbulua dhe u stërvit nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi, u shndërrua shpejt në një nga lojtarët më të spikatur të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, por edhe të Kombëtares, fillimisht tek të rinjtë, pastaj tek të rriturit.
Kjo formë e shkëlqyer e volejbollistit 2 metra e 3 centimetra të lartë bëri që në verë ai të shndërrohet, së bashku me Ildi Deliun dhe Anton Qafarenën, në 3 nga eksportet e suksesshme të rrjetës shqiptare në Evropë. Ndërkohë që Qafarena u zhvendos në Gjermani, Koçi dhe Deliu u zhvendosën në Finlandë dhe për shuterin kuqezi, kjo gjysmë e dytë e vitit 2017 ka qenë mbresëlënëse.
Redi Koçi ka qenë thuajse çdo jave në formacionin më të mirë të kampionatit finlandez, ndërsa ka krijuar së bashku me shokun e tij të skuadrës, Samuli Kaislasalo, dyshen më rezultative të kësaj veprimtarie. Ndërkohë që vendasi Kaislasalo është shënuesi më i mirë, me 338 pikë të realizuara në 16 ndeshje, Redi është në 6-shen e parë, me 231 pikë, çka nënkupton se të dy bashkë kanë realizuar plot 569 pikë, nga 1,384 që ka realizuar gjithsej skuadra e tyre.
23-vjeçari ka një mesatare prej 14.4 pikësh të realizuara për çdo ndeshje, ndërsa duhet theksuar se nga këto 231 pikë, 194 ai i ka realizuar në sulm, 18 në bllok dhe 19 direkt nga shërbimi, që është edhe një aspektet e spikatura të lojës së tij. Redi Koçi dhe skuadra e tij rikthehen në parket më 12 janar të 2018-ës, por forma e tij është një dimension i shtuar edhe për Kombëtaren kuqezi të volejbollit të meshkujve, që është angazhuar për një pjesëmarrje të zgjeruar në veprimtaritë ndërkombëtare të vitit të ardhshëm.