Gjergj Vyshka 25.10.2015 10:35
Presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erli Pëllumbi, vizitën e tij të parë si zyrtari më i lartë i rrjetës shqiptare e ka bërë në Kosovë, atje ku është pritur nga homologu i tij Abedin Ibrahimi.
Në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej zgjedhjes si president i FSHV-së dy javë më parë, Pëllumbi ka shprehur kënaqësinë e tij që gjendet mes shqiptarëve dhe ka shprehur gatishmërinë për përkrahje akoma më të madhe të FVK-së në hapat e saj të parë në Kupat Evropiane.
Ibrahimi po ashtu ka ftuar homologun e tij që të intensifikojnë bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Volejbollit duke përfshirë edhe krijimin e një lige të përbashkët dhe njohjes së kartonëve të lojtarëve të lirë, të cilët duhet të kenë hapësira rreth transferimeve të tyre në klubet shqiptare.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dje ka qenë i pranishëm dhe në ndeshjen e “Challenge Cup”, mes skuadrës së Drenicës së Rukollit dhe Balimonej Blaze.
Nuk duhet harruar që sapo ka përfunduar Kupat e Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila përkonte me 70-vjetorin e krijimit të institucionit më të lartë të rrjetës shqiptare, ndërsa të shtunën e ardhshme nis dhe java e parë e kampionatit.