Gjergj Vyshka 27.12.2016 08:50
Presidenti i Federatës Shqiptare të rrjetës: “Turneu miqësor në Luksemburg është një ndërthurje e elementit të përvojës me ato të rejat për të parë perspektivën e kësaj përfaqësueseje”. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu:
– Jemi në prag të fundvitit dhe ne shqiptarët jemi mësuar që ndërrimin e viteve e bëjmë me familjet. Një turne miqësor në Luksemburg për kombëtaren e femrave, a mos duket i tepruar?
– I tepruar?! Është privilegj të jesh në kombëtare dhe në turne të tillë. Dhe unë mendoj se është një turne që vlen, sepse është një përfaqësueseje e ndërthurur mes përvojës dhe brezit të ri duke menduar perspektivën e kësaj përfaqësueseje. Kemi mungesa për shkak të angazhimit të titullarëve në aktivitetet e klubeve të tyre. E megjithatë ne mendojmë ta marrim atë trofe që do të jetë si një shtysë për Ligën e Evropës, të cilin duam ta organizojmë në qershor këtu.
– Nga kjo periudhë e deri në qershor keni menduar turne të tjerë për këtë përfaqësuese?
– Kemi fatin që ekipet e rajonit do të jenë të angazhuar në Eliminatoret e Evropianit dhe Botërorit e si të tilla janë shanse për më shumë miqësore. Pjesëmarrja dhe paraqitja dinjitoze në Ligën e Evropës na i ka shtuar këto shanse.
– Kur mësohen kundërshtarët e shortit?
– Në janar hidhet shorti dhe aty do të marrim detajet e veprimtarisë për në qershor.
– Ndërkohë çfarë ndodh me kombëtaren e meshkujve?
– Ne para pak ditësh kemi pasur një takim dhe duke qenë se trajneri i kombëtares së meshkujve, Jani Melka, tashmë është në Qipro dhe drejton skuadrën e vendit të parë është shansi për të bërë miqësore atje. E jo vetëm në Qipro, por dhe në Greqi, apo dhe në vendet e rajonit.
– Si do ta cilësonit vitin 2016?
– Unë mendoj se pjesëmarrja në Ligën e Evropës si për meshkuj, ashtu dhe për femra, duke marrë dhe fitoret ndaj Bjellorusisë dhe Polonisë shënon kulmin e këtij viti. Volejbolli shqiptar ka bërë hapa para nga ajo ku ne e kemi gjetur dhe nuk ka nevojë të vëmë emra për fajtorët, apo si e qysh mbeti prapa. Dhe duke qenë kështu ne jemi ballëhapur për të marrë pjesë në përsëri në Evropë.
– Çfarë do t’i kërkonit komunitetit për vitin 2017?
– Të vlerësojmë më shumë djersën e kontributin e vet…
– Po për kombëtaret e moshave, që janë baza kryesore e furnizimit të përfaqësueseve të të rriturve ç’keni menduar?
– Më 20 janar do të jetë mbledhja Ballkanike, e cila do të bëjë dhe ndarjen e veprimtarive. Ne do të shohim dhe buxhetin financiar që do të vijë e më pas do të bëjmë vlerësimin e situatës. Por mendoj që do t’i kemi në garë dhe moshat.
– Së fundi, a ju dhemb si ish-volejbollistët që klubet shqiptare ende nuk guxojnë të marrin pjesë në Evropë, më kryesoret për femrat?
– Ne e kemi bërë bashkë analizën e volejbollit dhe mendoj se pengesa kryesore janë financat. Merr pjesë vetëm Studenti në Kupat e Evropës dhe në fakt klubet duhet të guxojnë. Ka një mijë arsye që ne kemi mbetur pas në këto 26 vjet. Por gjithsesi klubet duhet të guxojnë dhe të luajnë në arenën ndërkombëtare, sepse vetëm kështu rriten cilësisht.