Gjergj Vyshka 14.02.2016 10:50
Gjyqtarët e volejbollit shqiptar në pjesën e tyre më të madhe e kanë firmosur kontratën e shërbimit me Federatën Shqiptare të Volejbollit. Të vetmit që nuk e kanë pranuar dhe që nuk do të jenë pjesë e gjykimit deri në fund të sezonit do të jenë ndërkombëtarët Altin Telo dhe Erjon Mujo. Dhe këtë gjë e ka bërë ditur dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i cili e ka përshëndetur nga Stambolli këtë risi për gjykimin e rrjetës shqiptare.
Madje e ka përshëndetur edhe sepse sot nis faza e dytë e volejbollit të meshkujve, ku në qendër të vëmendjes do të jetë kryendeshja Farka Voleji-Vllaznia. “Të gjithë gjyqtarët kanë firmosur kontratat e shërbimit me FSHV-në me përjashtim të dy gjyqtarëve ndërkombëtar, Altin Telo dhe Erjon Mujo, të cilët kanë refuzuar kontratat dhe kanë paraqitur kërkesat e tyre për të mos u aktivizuar deri në fund të këtij sezoni”, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare.
“Unë dua të falënderoj të gjithë gjyqtarët, që në një kohë rekord kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të firmosur kontratat dhe njëkohësisht jam shumë i kënaqur që më në fund edhe për gjykimin nisi një epokë e re, – ka vijuar Pëllumbi. – Tashmë gjyqtarët kanë në dorë një kontratë, e cila institucionalizon marrëdhëniet ndërmjet Federatës dhe gjyqtarëve duke i siguruar këtyre të fundit një sjellje serioze dhe institucionale, e cila synon të shmang situatat e krijuara në të shkuarën kur gjyqtarët nuk vlerësoheshin për punën e tyre dhe nuk paguheshin rregullisht dhe në kohë.”