Gjergj Vyshka 03.10.2016 14:25
Dje, në mjediset e Hotel “Doro City”-t në kryeqytet, është zhvilluar një mbledhje e Federatës Shqiptare të Volejbollit me të gjithë gjyqtarët e rrjetës. Një mbledhje, e cila ka nxjerrë në pah jo vetëm inatet e vjetra, por dhe kërkesën për borxhet e prapambetura, si dhe humbjen e dokumentacionit që vërteton se ata kanë qenë në ato ndeshje të viteve të kaluara.
Megjithatë presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, u ka kërkuar më shumë bashkëpunim, sepse e konsiderojnë veten palë të njëri-tjetrit. “Ne jemi duke bërë gjithçka për likuidimin e borxhit, edhe pse dua të theksoj këtu që nuk na takon ne, – ka thënë ai. – Jemi të gatshëm të ngremë komisionin për verifikimin e gjithçkaje që lidhet me ndeshjet që nuk janë shlyer.”
“Po ju them që kemi gjetur një volejboll në gjendje të vështirë dhe tani themi se jemi në rregull”, – ka përfunduar Pëllumbi, kurse Konals Gjoka ka përmendur se do të ketë tre shtylla për vlerësimin e gjyqtarëve që janë paraqitja, gatishmëria dhe gjyqtarët e rinj. “Madje do të ketë dhe formular për rritjen në kategori, të cilën do ta plotësoni ju, ndërsa jemi duke mbajtur statistika që të gjithë të aktivizohen sa më shumë”, ka përfunduar ai.