AlbanianSport.com 19/10/2018 12:30
ASNN – Presidenti Pëllumbi reflekton për klauzolën e “klubit mëmë”, nisjen e këtij sezoni e quan më të mirin ndër vite. Prej ditësh një pjesë e trajnerëve dhe drejtuesve të klubeve të volejbollit kanë shprehur interesimin e aktivizimit të një neni në rregullore për klubin e origjinës, me argumentimin se lojtarët që transferohen në merkato duhet patjetër, në këto lëvizje të njihet patjetër kontributi i klubit “mëmë”, ose klubit të origjinës.
Çështjen e ngriti fillimisht trajneri i Farka Volejit, Dritan Bardhi, ndërkohë ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, ai tha se po punohet mbi këtë çështje dhe se organizmi që ai drejton është gati të ta diskutojë këtë problem në asamblenë e radhës dhe gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme.
“Sigurisht që do të diskutojmë edhe për këtë temë, – ka deklaruar ai për të përditshmen sportive në fjalë. – Nëse një skuadër kërkon të marrë një lojtar të ri, i cili është brenda grupmoshës 18 vjeç, duhet me patjetër të negociojë me klubin që e ka nxjerrë këtë sportist. Kjo do të jetë një ide që do ta hedhim në asamble. Megjithatë, edhe kjo pjesë duhet rishikuar, pasi mund të rezultojë disi abuzive.”
“Si për shembull, ku dy klube mund të mos kenë marrëdhënie të mira apo mund të jenë rivale me njëri-tjetrin dhe këtu abuzohet me shifrat, – ka vijuar presidenti i FSHV-së. – Prandaj, mendoj se duhet vendosur një shifër fikse për këto transferime brenda territorit shqiptar. Sigurisht, kjo klauzolë duhet të jetë e përballueshme, pasi, siç e dimë të gjithë, buxhetet janë shumë të brishta.”
Më tej, Pëllumbi foli për kampionatin që sapo ka nisur dhe pozicionimin e forcave, ku sipas tij pritet të ketë surpriza dhe duele interesante gjatë gjithë sezonit. “Kemi një nisje interesante, pasi shikoj një frymë shumë pozitive dhe do të thosha kemi një nisje me një nivel më të lartë se në vitet e shkuara, – tha ai. – Skuadrat janë më të ekuilibruara në shpërndarjen e forcave.
“Dhe për rrjedhojë rivaliteti është më i lartë se në sezonet e shkuara. Jam shumë optimist se do të kemi një kampionat interesant , cilësor dhe me të papritura”, përfundoi Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi.