Gjergj Vyshka 24.01.2016 19:55
Dje në mesditë palestra e Universitetit të Sporteve është mbushur nga zërat e fëmijëve, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në kampionatin e Nën-12-vjeçarëve, të organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit dhe nën kujdesin e presidentit Erlind Pëllumbi.
Në të kanë marrë pjesë gjashtë shoqata, të cilat ishin Partizani Volej, Tirana Volej, Neon Volej, Barleti Volej, Superior dhe Klubi Sportiv “Tirana”. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, kanë marrë pjesë mbi 70 fëmijë.
“Ne e kemi nisur që në qershor dhe kjo ishte etapa e dytë e fazës së parë të projektit “Top Mini-Volej Schools”, – ka shpjeguar ai. – Kjo veprimtari ishte e rëndësishme për ne si institucion, sepse Federata Shqiptare e Volejbollit kërkon të jetë aktive për këtë grupmoshë.”
“Kërkojmë të masivizojmë volejbollin, si dhe të gjejmë lëndën e parë për të ardhmen e volejbollit shqiptar. Projekti jonë është ambicioz për shtrirjen e volejbollit nga mosha 6-12 vjeç. Dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari”, – ka përfunduar Pëllumbi, duke folur për “Sport Ekspres” në përfundim të veprimtarisë.