Gjergj Vyshka 19.11.2014 09:35
Zhgënjen Studenti, ndërsa Donald Suxho, i ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë mundësinë kampionëve të Shqipërisë për të kaluara një tur në “Çellenxh Kap” (Challenge Cup), duket se ka qenë pak. Ashtu sikurse kanë qenë pak dhe Troka e Milev, pasi, edhe pse kanë bërë mirë të gjitha veprimet sulmuese, përtej ndonjë gabimi në ngutjen për të shënuar pikë, nuk ka qenë në të njëjtin nivel me ta e gjithë pjesa tjetër e skuadrës.
Edhe kur është kërkuar eksperienca e Tukseferit, apo dhe e Kasës, duket se ka qenë tepër vonë, pasi diferencat ishin bërë të dukshme dhe hungarezët vetëm administronin atë që kishin krijuar më parë. Në dukje Fino Kaposvar nuk ishte ndonjë kundërshtar i nivelit të lartë aq sa Studenti të kishte frikë të tentonte të kalonte turin. Por gjithçka përmblidhet në takatin e volejbollit shqiptar që as më pak e as më shumë vazhdon të mos bëjë përpara në arenën ndërkombëtare edhe kur ka në brendësi e tij lojtarë të importuar nga jashtë.
Sepse për një skuadër absolute e që të gjithë të flasin me gjuhën e fituesit duhet një kohë më e gjatë se sa 2-3 javë që është përgatitja finale për një ndeshje ndërkombëtare. Por në fund të fundit këto janë kushtet në të cilat zhvillohen lojërat me dorë në vendin tonë, atje ku e kemi të pamundur për t’u matur me botën edhe për shkak të financave jo të shëndosha. Para dhe gjatë ndeshjes ka pasur dhe spektakël, gjithnjë edhe në vazhdimin e mirënjohjeve për shqiptarin që bëri gjithçka mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Suxhon, por në parket, me përjashtim të setit të dytë, gjithçka foli për Fino Kaposvar, që u kualifikua me shumë meritë.
Studenti – Fino Kaposvar 1-3
(22-25, 25-23, 17-25, 9-25)
Studenti: Rrashketa, Malaj, Qerraxhija, Gorenxa (L), Troka, Suxho, Milev / Tukseferi, Memia, Kasa, Kono. Trajner: Y. Tomorri
Fino Kaposvar: Zabo, Bozoki, Juhas, Magiar, Bagiks, Deak (L), Nemet / Tot, Rasa, Vajda. Trajner: G. Demeter
Gjyqtarë: M. Demirderlen (Turqi), J. Joanidis (Greqi)