Gjergj Vyshka 21.12.2016 11:35
Ndihmëstrajneri i Partizanit: “Në janar do të shihni një organizim model të kësaj skuadre në ringritjen e Akademisë së moshave, që do të jenë një bazë e mirë për të ardhmen e skuadrës”. Partizani, ashtu sikurse kemi shkruar ditë më parë, është skuadra absolute e volejbollit të meshkujve. Në 11 ndeshje ka 11 fitore, 8 në kampionat dhe 3 në fazën eliminatore të Kupës së Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, por ka fituar 33 sete dhe vetëm dy të humbura. Që thotë se nëntë ndeshje i ka fituar 3-0 dhe vetëm me Tiranën e me Farka Volej në kampionat. Për këtë ecuri ndihmëstrajneri i Partizanit, Elton Tukseferi, mendon se shifrat janë kokëforte dhe nuk kanë nevojë për shumë koment. Sheh si rival Vllazninë e Farka Volejin, ndërsa mendon se në arenën ndërkombëtare volejbolli shqiptar ka pasur rezultate.
Dhe Studenti ka përfaqësuar veten në arenën ndërkombëtare. E thekson se duhet të funksionojnë kombëtaret e moshave, kurse Partizani, gjithnjë sipas Tukseferit, në janar do të ketë dhe Akademinë e moshave në janar. Ja dhe intervista e tij për gazetën “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë.
Sot është pjesa e parë, ndërsa nesër, e dyta.
– Partizani në 11 ndeshje, 11 fitore, 33 sete të fituara dhe vetëm dy të humbura. Skuadra absolute e kampionatit?
– Absolute! Këtë nuk mund ta them, por vetë shifrat që ju përmendni janë kokëforte dhe nuk kanë nevojë për shumë koment, sepse kemi marrë seriozisht çdo gjë. Ndaj dhe jemi këtu ndodhemi aktualisht.
– Çfarë do të kishit dashur të bënit më mirë në këtë gjysmën të parë të këtij sezoni?
– Të bënim më mirë! Nuk besoj se ka mbetur gjë për t’u bërë më mirë, ndërsa kemi fituar të gjitha ndeshjet si në kampionat, ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë. Ndoshta mund të kishim më pak sete të humbura. Por gjithsesi jemi me meritë në këtë pikë.
– Kë shihni rival për trofe sivjet?
– Me modesti do të thosha të gjitha ekipet e kampionatit shqiptar, sepse të gjithë përpiqen të luajnë volejboll, aq më tepër kur bëhet fjalë për përballjen me Partizanin. Pa modesti shoh Vllazninë, Farka Volejin e ndonjë tjetër. Megjithatë ne do të mundohemi të vazhdojmë të bëjmë mirë gjithçka.
– Partizani kur do t’i ngrejë ekipet zinxhir?
– Në janar me këmbënguljen e klubit, që duhet përshëndetur për punën që bën, do të shihni ringritjen e Akademisë së moshave të Partizanit, që do të jetë një bazë e fuqishme për ekipin e parë.
Vijon nesër…