Gjergj Vyshka 03.03.2017 17:05
Natyrisht që e ka dashur shumë këtë Kupë të Shqipërisë, sepse është ai që e ka filluar projektin e ri të kthimit të Partizanit në volejboll për meshkuj. Bëhet fjalë për Ylli Tomorin, që dje është pushtuar nga tifozët, që më së shumti i kanë uruar suksese. “Të them të drejtën, – thotë Tomorri, – ka qenë një ndër finalet më të bukura të volejbollit shqiptar të viteve të fundit.”
“I kam takuar dhe lojtarët e Vllaznisë dhe i kam thënë se nuk duhet të jenë kokulur, sepse kanë bërë një ndeshje shumë të mirë, – ka vijuar ai. – Një ndeshje që siç e fituam ne, mund ta fitonim dhe ata. Jam i kënaqur se kjo ndeshje me këtë ritëm, me këto tifozë, e me gjithçka tjetër ia arriti qëllimit. Në fund të fundit ne luajmë për të sjellë këtë spektator në parket dhe ia arritëm qëllimit.”
“Nuk kemi pse merremi me fjalë lartë e poshtë, por të punojnë për ta bërë volejbollin të pëlqyeshëm për të gjithë, – ka vijuar trajneri veteran i volejbollit shqiptar. – Dhe ja ku jemi. Partizani ka nisur rrugën e trofeve. Pati një ngërç psikologjik, sepse e tillë ishte dhe loja e Vllaznisë. Ndoshta me Studentin do ta kisha më të lehtë. Por në fund le t’i gëzohemi trofeut.”