Gjergj Vyshka 14.05.2016 13:45
Duke vijuar më tej, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Ylli Tomorri ka bërë të ditur se do të jetë një fillim i vështirë, por jo i pamundur për ta kthyer Partizanin e lavdishëm dhe në volejboll. “Jam krenar, sepse ambiciet e mia dhe stazhi me trofe tek Studenti do të më ndihmoj që t’i kthej trofetë edhe këtu”, – ka thënë ai.
“Unë vij tek Partizani për ta shpallur “kampion” dhe sponsorizimet do të jenë të pranishme, sepse janë të vetëdijshëm që Partizani është një emër më me peshë se sa Studenti, – ka vijuar trajneri veteran i volejbollit shqiptar. – Madje edhe ideja e shtysa e tyre ka qenë që të merrja Partizanin dhe tani jam i lumtur që jam këtu.”
Tomorri ka shpjeguar që për një të ardhme të gjatë do të ngrihet dhe strukturat e moshave kuptohet me trajnerë të rinj, apo lojtarë që tashmë e kanë përfunduar karrierën. Sa për lojtarët që do të vijnë, Tomorri ka theksuar se dera është e hapur për të gjithë.
“Unë nuk kam dëshirë të shoh prapa se çfarë ka ndodhur, por vetëm përpara. Të gjithë lojtarët janë të lirë dhe mund të vijnë. Por kjo nuk do të thotë se do të jenë të gjithë të ish-Studentit. Përkundrazi do të ketë një sitë dhe ne që në vitin e parë do të kthejmë Partizanin me trofe”, – ka përfunduar trajneri i ri i Partizanit.