Gjergj Vyshka 05.12.2014 17:35
Kombëtarja e volejbollit për meshkuj, që pas pjesëmarrjes së saj në Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Poloni 2014”, të cilat u zhvilluan në majin 2013 në Shkup të Maqedonisë, ishte harruar si ekip. Tashmë ndodh ndryshe. Përfaqësuesja, e gjitha me të njëjtën uniformë, dje pasdite nën urdhrat e trajnerit Ylli Tomori ka nisur fazën e saj të seleksionimit.
E reja është se dy ndihmësit e trajnerit të kombëtares do të jenë dy volejbollistët më me shumë trofe kombëtar dhe më me shumë përvojë pas viteve 1990 si Elton Tukseferi dhe Klodian Kasa. Edhe pse janë ende në aktivitet, ata kanë pranuar këtë përgjegjësi, ndërsa së bashku me Tomorrin bëjnë një treshe drejtuese që kombëtaren e volejbollit të meshkujve duket se do ta kthejnë në kohët më të arta.
Tukseferi është caktuar si përgatitës për anën teknike të ekipit, nisur edhe nga ajo se është organizatori që pakkush mund ta zëvendësojë, ndërsa Kasa për përgatitjen fizike. Stërvitja, e cila ka zgjatur dy orë, është vëzhguar dhe nga dy anëtarët e Komitetit Drejtues, Erlind Pëllumbi dhe Artan Pogoni, si dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase.
Lista e lojtare të grumbulluar në seleksionimin e kombëtares
Studenti: Ervin Çali, Kristi Martiro, Hendi Kono, Klaudio Qerraxhija, Ditmir Rrashketa, Kreshnik Malaj, Ledio Martiro, Xhenkland Muça
Tirana: Emiljano Xhabrahimi, Blerim Pepaj, Ervin Kola
Vllaznia: Anton Qafarena, Nikolin Qafarena, Redi Kola
Farka Volej: Redi Koçi, Osman Qepa
Teuta: Enkelejd Biduli, Ani Vora, Jurgen Dashi, Emiljano Estrefi, Eraldo Vora
Elbasani: Adri Arapi