AlbanianSport.com 09.01.2015 20:40
ASNN – Kampion i Shqipërisë prej sezonesh radhazi dhe lider në volejbollin e meshkujve, por Studenti i trajnerit Ylli Tomori është i dënuar të endet sa nga një ambient te një tjetër për stërvitje. Keqardhje e shprehur nga vetë “arkitekti” i kryeqytetasve në një prononcim për të përditshmen më të madhe sportive shqiptar, “Panorama Sport”.
“Për vitin që lamë pas, dihet që Studenti u shpall kampion, fitues i kupës, pjesëmarrës në Kupat e Evropës, skuadra më e mirë e sezonit për volejbollin, – ka deklaruar ai. -Natyrisht, këto objektiva do të ruhen edhe në vazhdim. Kemi marrë lojtarë të rinj që kanë shumë perspektivë e që punojnë mjaft mirë. Për momentin, kemi katër lojtarë të vjetër që quhen shtylla të skuadrës.”
“Ata janë Elton Tukseferi, Klodian Kasa, Altin Gorenxa dhe Blerin Memia, ndërsa 10 të tjerë janë të rinj, duke filluar nga Krisi Martiro 18 vjeç, vëllai i tij Ledio Martiro 20 vjeç dhe më i “vjetri” mes tyre është Ditmir Rrashketa, 24 vjeç, – ka vijuar Tomori. – Pra mosha e mesatare e ekipit kur aktivizohet pa lojtarët e vjetër është 21 vjeç. Kështu është një arritje e madhe pavarësisht se kushtet e stërvitjes mungojnë te Studenti me prishjen e palestrës.”
“Ekipet e moshave ekzistojnë, por në ilegalitet, – ka vijuar trajneri i Studentit. – Nuk dinë se ku stërviten, ku të strehohen. Për dijeni, jemi ekipi më i mirë për momentin në Shqipëri dhe kemi shumë më pak kushte se kushdo skuadër tjetër, përfshi Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, Korçën.” Sipas Tomorit, “në infrastrukturë jemi ekipi më mbrapa, por “kampion” veçse”.
Trajner i Studentit ka theksuar se, nëse ekipi do të kishte këto kushte që kanë të tjerët, do të ishte akoma më mirë dhe më të pasur në drejtim të elementit të ri. “Por zgjedhjet e lojtarëve janë të ndryshme dhe preferojnë të shkojnë tek ajo skuadër që është serioze, që punohet, që ka rezultat dhe në fund të fundit tek ajo skuadër që ka një bazë shumë më të mirë”, – ka përfunduar Ylli Tomori.