Gjergj Vyshka 08.11.2014 11:15
Sipas të parit të pankinës së Studentit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomori, problemi më kryesor ka qenë salla e ulët e Kaposvarit.“Kohë më parë, – thotë trajneri i Studentit – i kam kërkuar sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase, që të licencojë në Federatën Evropiane sallën “Farie Hoti”. Sepse është më e ngrohtë dhe ne nuk kemi pse të shkojmë në Durrës. Madje i kam kërkuar Tases, ku do ta bëni mbledhjen teknike më 18 nëntor? Më ka thënë në hotel. E kam kundërshtuar, sepse edhe neve në Kaposvar na e kanë bërë në Pallatin e Sportit. Duke mbetur tek salla, ne kemi humbur 5-6 pikë vetëm prej prekjeve të topit në tavan. Sepse kanë pasur probleme si Milev në shërbim, ashtu dhe Gorenxa në pritjen e topit. Sigurisht që për shkak të udhëtimit Suxho nuk ishte në formën e tij më të mirë, pa thënë që nuk pati koordinimin e duhur me Milev. Pastaj Tukseferi nuk luajti, sepse ishte ndihmëstrajneri im, pasi përvoja e tij, eksperienca e të gjitha e së bashku e bëjnë atë që në një të ardhme të jetë ai trajneri i Studentit. Mos harroni që ka qenë Troka në një superformë, kurse Qerraxhija, edhe për shkak të mungesës së përvojës, sepse fanella e kampionëve është shumë e rëndë, e ka pasur të vështirë të orientohet”.