Gjergj Vyshka 27.11.2014 16:55
Dy orë përplasje dhe betejë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Ndeshje me shumë përmbysje, por që ka një emër mëndjemadhësi e Vllaznisë. Nga 0-2, kur shkodranët i kishin fituar setet 23-25 dhe 24-26, vjen barazimi i Tiranës, 2-2. Në setin e tretë dhe të katërt Vllaznia sikur nuk është në fushë, ndërsa Tirana i ka marrë lehtësisht setet 25-16 dhe 25-17.
Më i ekuilibruar seti i pestë, por që në fund ka pasur fituese Tiranën, 15-12 dhe krejt ndeshjen 3-2, që kështu ka pasur hakmarrjen e ndeshjes së kampionatit për atë humbje të papritur 0-3. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Ferhati i Tiranës me 23 pikë i ndjekur nga Nikolin Qafarena i Vllaznisë me 20 pikë. Në bllok ka dalë fitues Genti Lundra dhe Ferhati me 4 mure rezultative, kurse në shërbim Genti Lundra me 4 të saktë.
Në total në pesë sete Tirana ka realizuar 112 pikë prej të cilave 89 vetë, ndërsa 23 kanë ardhur nga gabimet e shkodranëve. Në krahun tjetër në pesë sete Vllaznia realizoi 96 pikë, prej të cilave 74 vetë, kurse 22 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve. Në tërësinë e vet pritet një finale interesante mes Studentit e Tiranës sot në ora 17:00.
Tirana – Vllaznia 3-2
(23-25, 24-26, 25-16, 25-17, 15-12)
Tirana: A. Lundra, Xhija, Pepaj, G.Lundra, Xhabrahimi, Ferhati, Kola (L) / Rama, Kupi, Ndoni. Trajner: A. Sako
Vllaznia: Miloti, Jukni, N. Qafarena, A. Qafarena, Taflaj, Çekini, R.Kola (L) / K. Kola, Daniku, Lloshi. Trajner: A. Kalaja
Gjyqtarë: Ko. Gjoka, A. Shehu (Tiranë)