Gjergj Vyshka 16.04.2016 09:50
Tirana vijon të jetë në kulmin e vet, një skuadër e gjitha e përgatitur për të qenë kampione. Dhe këtë e ka demonstruar dhe mbrëmë në fitoren e pastër 3-0 ndaj Vllaznisë. Pavarësisht revoltës së shkodranëve me gjyqtarin Preka, i cili në fundin e setit të dytë ka ndëshkuar me karton të kuq Çekinin dhe trajnerin e kuqebluve, Artan Kalaja, Tirana e ka merituar suksesin.
Madje për shkak të protestave dhe kartonëve të kuq kanë qenë shkodranët që kanë humbur vetë setin dhe më pas ia kanë dhënë bardhebluve. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Klodian Ferhati i Tiranës me 20 pikë i ndjekur nga Anton Qafarena i Vllaznisë me 12 pikë dhe Nikolin Qafarena me 10 pikë. Në bllok ka dalë fitues Miloti i Vllaznisë me 3 të tilla pasuar nga Pepa, Lundra dhe Ferhati të Tiranës, si dhe Taflaj, Anton Qafarena dhe Nikolin Qafarena, me nga dy.
Në shërbim ka dalë fitues Lundra dhe Ndoni i Tiranës, si dhe Nikolin Qafarena i Vllaznisë me dy. Në total në tre sete Tirana shënoi 76 pikë prej të cilave 46 pikë vetë, kurse 30 pikë kanë ardhur nga gabimet e Vllaznisë, që do të thotë se ka falur mesatarisht 10 pikë për set. Kurse Vllaznia në tre sete ka shënuar 53 pikë prej të cilave 47 pikë vetë, ndërsa gjashtë pikë kanë ardhur nga gabimet e Tiranës, e cila ka qenë absolute në të gjitha drejtimet.
Ndaj dhe e ka merituar këtë kalim në finalen për titullin “kampion”.