Gjergj Vyshka 27.09.2014 08:40
Tirana duket se ia ka marrë dorën fitimit të Kupës së Federatës në Volejboll për meshkuj, ndërsa për të dytin sezon radhazi ka dalë fituese ndaj Studentit të Ylli Tomorrit. Por ndryshe nga sezoni i kaluar, atje ku skuadra e Arben Sakos pati fituar thellësisht e pastër 3-0, dje është dashur seti final për të nxjerrë fituesin. E kjo, në një farë mënyre, për fajin e bardhebluve, të cilët ishin në epërsi 2-0 dhe atëherë kur pritej fitorja e pastër vjen përmbysja e kampione.
Përmbysje e cila mund të kushtonte shtrenjtë për bardheblutë e Sakos, që më pas ka sjellë tensionimin e paparë të kampionëve në mënyrë të veçantë me kryesorin Fatos Mujo. Tirana e ka nisur në mënyrë spektakolare ndeshjen, ndërsa blloku i Pepajt dhe i Gentian Lundrës, por dhe gjuajtjet e Ferhatit e Andi Lundrës shndërrohen në pikë. Studenti nuk duket asgjëkundi, ndaj dhe dy sete janë fituar nga bardheblutë 25-11 dhe 25-18.
Mirëpo kur pritej vazhdimi i kësaj loje nga Tirana, vjen kthesa e Studentit, që përgjigjet me të njëjtën “monedhë”, ndërsa i ka fituar setet thellësisht 25-14 dhe 25-15. Në finale është Studenti në avantazh e më pas, me më shumë forcë karakteri, kthen Tirana. Bukurinë e asaj ndeshje rivalësh të përjetshëm e ka prishur vendimi i gjyqtarit dhe nervat e lojtarëve të Studentit, së bashku me trajnerin Tomori. Sepse do të ishte më mirë që fusha të ishte vërtetë përcaktuese për këtë finale, që mbajti “lidhur” për dy orë tifozët e rrjetës.
Studenti – Tirana 2-3
(11-25, 18-25, 25-14, 25-15, 13-15)
Studenti: Çali, Rrashketa, Memia, L. Martiro, Malaj, Qerraxhija, Muça (L) / Drinasi, Tukseferi, K. Martiro, Gorenxa (L). Trajner: Y. Tomori
Tirana: Pepaj, Xhija, A. Lundra, Xhabrahimi, Kola (L), Ferhati, G.Lundra / Kupi, Rama, Batalli, Sejati, Ndoni. Trajner: A. Sako
Gjyqtarë: F. Mujo, R. Kasmi (Tiranë)