Gjergj Vyshka 21.12.2016 08:50
Sot në mbrëmje, në ora 19:00, Studenti do të zhvillojë ndeshjen e kthimit në “Challenge Cup”. Do të jetë përballë Zirat Bankasi të Ankara, ndërsa ndeshja do të luhet në “TVF SC Bashkent Sport Hall” në Ankara. Kjo ndeshje do të gjykohet nga belgu Koen Luts dhe sllovaku Lukas Kralovic.
Skuadra shqiptar ka udhëtuar që të hënën paradite drejt Ankarasë, ndërsa është akomoduar në hotel “Radison Blu” në kryeqytetin turk. Jo vetëm kaq, por ka bërë dhe stërvitje në sallën ku do të bëhet ndeshja, ndërsa kapiteni i skuadrës, Blerim Pepaj, ka konfirmuar gjendjen e mirë të skuadrës.
“Gjendja e ekipit, – thotë Pepaj për “Sport Ekspres”, – është shumë e mirë. Jemi duke punuar për të bërë një paraqitje dinjitoze sot ndaj turqve e, për këtë qëllim, jemi duke u stërvitur me dy seanca stërvitore në ditë”. Por fakti që takimi i parë, i luajtur më 7 dhjetor në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, është humbur 0-3, gjërat bëhet të vështira për Studentit.
Që, sidoqoftë, do të mundohet të tregojë një tjetër paraqitje, pavarësisht momenteve të vështira që po kalon, sidomos pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë.