Nga Gjergj Vyshka 13.04.2016 14:25
Bind Studenti në gjysmëfinalen e parë të “play-off”-it për titullin “kampion”, ndërsa për djemtë e Ylli Tomorrit hapi drejt vajtjes në finale dje ishte i sigurt. Një fitore e pastër 3-0, atje ku pikën e Trokës, por dhe blloku i Malajt dhe Ivanov, apo dhe Çalit, shto dhe këtu shërbimet e sakta të Ledio Martiros janë kthyer të papërballueshme për Farka Volejin.
Në një farë mënyre skuadra e Dritan Bardhit duket se do të kënaqet edhe sivjet me daljen deri në katër skuadrat më të mira të kampionatit, sepse vetëm Koçi e Qepa, apo dhe Metani një lojtar që po vjen në rritje, duket se janë pak për të mundur Studentin, tashmë e sprovuar dhe me shumë eksperiencë për të marrë trofe.
Madje dhe atëherë kur duket se është në gjendje të vështirë, siç ishte në këtë sezon për një pjesë të mirë të tij për shkak të dëmtimeve të lojtarëve, Studentin e gjen kurajën dhe forcën brenda grupit për të shkuar drejt trofeut. Sigurisht që ka dhe një akt të dytë për të luajtur, të premten në ora 17:00 në sallën sportive “Farie Hoti”.
Por për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjërat duken të pamundura, aq më tepër që Studenti ka dalë fitues në të gjitha duelet e këtij sezoni përballë Farka Volejit. Jo vetëm në kampionat, por dhe në Kupën e Shqipërisë.