Gjergj Vyshka 16.10.2015 11:20
Përtej nivelit të lartë të volejbollit serb, që në nivele evropiane dhe botërore si kombëtare është rival i fortë, mundësitë ekzistojnë të paktën për një përballje dinjitoze e kampiones në fuqi e volejbollit shqiptar, Studenti, që tashmë e ka mësuar kundërshtarin që do të ketë përballë në turin e dytë të “Challenge Cup” dhe ky është ekipi serb i Spartak Ljigut.
Në vitet e fundit ajo që duhet pranuar është se Studenti në Kupat e Evropës nuk ka pasur rezultate të mira, teksa më 2012-ën është mundur dy herë nga rumunët e Unirea Dejas (1-3 dhe 0-3), sikurse ka ndodhur dhe vitin e kaluar me hungarezët e Fino Kaposvarit. Megjithatë shpresat nuk duhen humbur, sepse Studenti përballë Spartak Ljig mund të bëjë atë që ka bërë dy vjet teksa mundi Vojvodinën, 3-2.
Dhe duke lënë mënjanë patriotizmat, paçka se në lojërat me dorë niveli i të pranishmëve nuk është aq i nxehtë sa në futboll, Studenti duhet të tregojë nivel të lartë në parket dhe nivel kulturor e qytetar në shkallët e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Pasi e ka një mundësi të tillë. Përfundimisht Spartak Ljig është kundërshtari i Studentit në “Challenge Cup”, më 12 dhe 18 nëntor 2015.