AlbanianSport.com 11.03.2016 09:35
ASNN – Ndonëse ka nisur që në orën 17:00 me përballjen Vllaznia-Tirana e vlefshme për vendet 3-4, programi i finales së Kupës së Shqipërisë, Studenti-Teuta, ka qenë në qendër të vëmendjes së të gjithëve. E programuar nga organizatorët për të filluar në orën 19:00, ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë është spostuar për rreth një orë më pas pasi për të përcaktuar ekipin fitues të çiftit të Vllaznia-Tirana janë dashur të luhen plot pesë sete. Në fund, pas një luftë të fortë sportive kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, kanë fituar me rezultatin 3-2 duke u mjaftuar me vetem vendin e tretë.
Ndërkohë në parket kanë hyrë volejbollistët e dy skuadrave finaliste, Studendit dhe Teutës, të cilët respektivisht një natë më parë eliminuan, Tiranën dhe Vllazninë. Nuk ka vonuar shumë dhe pas minutazhit të nxehjes, komentatori i veprimtarisë, gazetari sportiv Gjergj Kola, me prezantimin përmes qendrës së zërit, ka ftuar të dy ekipet të nisnin betejën për sfidën finale të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Një sfidë që për hir të së vërtetës duhet pranuar se u shoqërua me shumë emocione. Pa as më të voglin ngurrim duhet thënë se bukurinë këtyre finaleve ia dha skuadra bregdetare.
Edhe pse e ashtuquajtur në disnivel me skuadrat e tjera pjesëmarrëse, sidomos me Vllazninë dhe Studentin favoritë edhe për titullin kampionë, ajo ishte tejet simpatike në fushën e lojës. Ashtu, pa shumë zhurmë e bujë, Teuta e drejtuar nga trajneri i saj Marangoni arrin të likujdojë qetë-qetë Studentin në dy setet e parë, përkatësisht me shifrat 25-19 dhe 25-10. Nëse do të ishte më e kujdesshme, skuadra durrsake mund të figuronte fituese e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion, pasi realisht ishte edhe në epërsi dhe shumë pranë fitores së setit të tretë dhe të krejt ndeshjes.
Por Studenti është Studenti, i cili me sa duket, i futur në lojë me euforinë e fituesit pa filluar ndeshja, “zgjohet” vetëm në pikët e fundit të setit të tretë, ndërsa e mbyll atë 25-23. Gjithnjë referuar ecurisë së këtij seti duhet theksuar se Studentit iu largua nga loja për arsye dëmtimi numri 16, bullgari Vuldijev, duke e dobësuar jo pak forcën e skuadrës. Megjithatë, të gjithë sa ishin në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ishin të mendimit se kaq deshi Studenti, sepse më pas falë përvojës së lojtarëve me në krye kapitenin Elton Tukseferi, padyshim më i miri i skuadrës kampione në fuqi dhe personalisht trajnerit të tyre Ylli Tomorri, do të dijë të shkojë drejt suksesit më me lehtësi.
Por nuk ndodhi krejt ashtu, sepse pasi fiton setin e katërt 25-19 duke e çuar takimin me set final. Në këtë set gati i iku kupa. Pas barazimit 3-3, 5-5, fushat ndërrohen në avantazhin 6-8 për Teutën. Pastaj rivaliteti shoqëruar me emocione, por edhe tension në të dy kampet përkatëse, hera-herës edhe në replikë me gjyqtarët, vazhdon edhe me barazimet 10-10, 13-13 për t’u mbyllur me dy pikët e fundit vendimtare të Studentit që fiksojnë shifrat 15-13 në favor të tyre në këtë set dhe të gjithë ndeshjen 3-2 për Studentin.
Kupën kapitenit të Studentit, Elton Tukseferi, ia ka dorëzuar presidenti i volejbollit shqiptar, Erlind Pëllumbi. Dhe Studenti shpallet fitues për herë të 16-të i Kupës së Shqipërisë.
Studenti – Teuta 3-2
(19-25, 20-25, 25-23, 25-19, 15-13)
Studenti: Tukseferi, Kasa, Gorenxa (L), Malaj, Troka, Ivanov / Çali, Vuldijev, Martiro, Memia, Muça, Kono. Trajner: Ylli Tomorri
Teuta: A. Dashi, Kolea, Uruçi, J. Dashi, A. Vora, E. Vora, Moku / Nazifi (L). Trajner: Leonard Marangoni
Gjyqtarë: E. Zguri, E. Preka (Tiranë)
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Meshkuj
Kalendari i fazës finale:
(9-10 mars 2016)
Gjysmëfinalet:
Të mërkurën:
Vllaznia – Teuta 2-3
Tirana – Studenti 1-3
Të enjten:
Për vendet 3-4:
Vllaznia – Tirana 3-2
Finalja:
Teuta – Studenti 2-3
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Kalendari i fazës finale:
(11-12 mars 2016)
Të premten:
Barleti Volej – Vllaznia ora 17:00
Tirana – Teuta ora 19:00
Të shtunën:
Për vendet 3-4 ora 17:00
Për vendet 1-2 ora 19:00