Gjergj Vyshka 22.12.2016 07:55
Një orë e gjashtë minuta i është dashur turqve të Zirat Bankasi Ankara për të mbaruar punë me Studentin dje në “TVF SC Bashkent Sport Hall”. Humbja dihej, por së paku skuadra e trajnerit Arben Sako ka realizuar më tepër pikë krahasuar me ballafaqimin e dy javëve më parë në “Asllan Rusi”.
E veçanta është fakti se turqit kanë luajtur vetëm me 7 lojtarë, pa pasur nevojën e amerikanit David Kamerun Li dhe të italianit Savani. Madje nuk është aktivizuar as Nilson, kurse Ruverdijk e Van Dijk duket se kanë mbajtur peshën kryesore në këtë ballafaqim me Studentin.
Kampionia në fuqi ka shënuar kështu dhe një tjetër minus në përballjet e volejbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. E pas eliminimit në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe në Kupën e Shqipërisë, Studenti i shton dhe këtë përballje të dështuar në arenën ndërkombëtare.
Deri më shkurt ka kohë për të rikuperuar shumë gjëra dhe për t’u bërë përsëri një skuadër konkurruese. Sepse deri tani lë shumë për të dëshiruar.