AlbanianSport.com 07.02.2015 21:00
ASNN – Volejbolli shqiptar i meshkujve ka mbyllur veprimtarinë e dytë, Kupën e Shqipërisë, duke kurorëzuar kampionen në fuqi, Studentin, si fituese të saj për këtë vit. Skuadra e drejtuar nga veterani Ylli Tomori, ka triumfuar në 3 sete në finalen e së shtunës ndaj suprizës së këndshme të këtij sezoni, Farka Volejit. Studenti ka fituar për herë të 12-të Kupën e Shqipërisë në Volejboll për Meshkuj, duke triumfuar në finalen e së shtunës ndaj suprizës së këndshme të këtij sezoni, Farka Volejit.
Duke mbajtur parasysh vështirësitë që pati në gjysmëfinale përballë Teutës, por edhe mënyrën sesi Farka Volej shtangu në gjysmëfinalen tjetër Tiranën, Studenti i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori është treguar mjaft i kujdejshëm në sfidën finale, duke mos e nënvlerësuar për asnjë çast kundërshtarin. Nga ana tjetër, lodhja e 5 seteve në gjysmëfinalen e së premtes me bardheblutë, por edhe mungesa e përvojës në një finale, sidomos për një skuadër mjaft të re në moshë, bëri që Farka Volej të mos dalë plotësisht në lojën e saj.
Kampionia në fuqi e ka fituar setin e parë 25-15, ndërsa në të dytin, Farka Voleji e ka nisur më mirë, por Studentin, edhe midis kontestimeve për gjykimin, e ka fituar atë 25-17. Seti i tretë ka qenë një formalitet për Studentin, që e fiton atë thellë 25-9 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-0. Trajneri i Studentit, Ylli Tomori, ka vlerësuar disiplinën në skuadër, harmoninë dhe punën e djemve të tij. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Farka Volejit, Dritan Bardhi , e cilësoi finalen “një përvojë shumë e bukur”. Por, sipas tij, diferencën e bëri përvoja, teksa mosha mesatare e skuadrës së tij është 18 vjeç.