Gjergj Vyshka 20.03.2016 10:55
Ashtu sikurse dhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, të besuarve të Ylli Tomorit i është dashur punë për të mundur Teutën, që ka tentuar përsëri ta çojnë ndeshjen në finale. Studenti e ka mundur përsëri Teutën, këtë herë për llogari të kampionatit, ndërsa kreu mbetet përsëri për djemtë e trajnerit Ylli Tomorri. Në fakt ka qenë një ndeshje e vështirë për kampionët në kushtet kur është dëmtuar Vuldjev dhe e ka humbur sezonin.
Por edhe të tjerët kanë probleme fizike, aq sa i janë nënshtruar asistencës mjekësore tek specialisti Mel Ostreni. E përtej kësaj, Studenti ka gjetur forcën dhe ka arritur ta vërë shpejt diktatin në fushë. Sidomos kur ka pasur në fushë kapitenin Tukseferi. Ndaj dhe seti i parë dhe i dytë është fituar me lehtësi nga kampionët 25-18 dhe 25-16.
Mirëpo atëherë kur pritej një fitore 3-0 për Studentin, Teuta kthen në lojë. Nën organizimin e Aldo Dashit, por dhe lojës së mirë së Jurgen Dashit, Koleas, Mokut, Uruçit dhe lojtarit të lirë Nazifi, Teuta fiton setin 25-17. Madje me më shumë zgjuarsi mundet ta kishte çuar ndeshjen në set final, sepse deri në barazimi 23-23 gjithçka ka qenë në ekuilibër të plotë.
Por në pikët e fundit është dalluar vendosmëria e Studentit për të fituar. 25-23 dhe 3-1 në një ndeshje të vështirë për kampionët, që javën e ardhshme do të kenë një tjetër përballje të vështirë me Tiranën në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.
Studenti – Teuta 3-1
(25-18, 25-16, 17-25, 25-23)