Gjergj Vyshka 22.04.2016 08:45
Studenti e ka fituar finalen e parë për titull “kampion”, teksa ka triumfuar dje në mbrëmje në sallën kryesore të “Asllan Rusit” ndaj Tiranës, 3-1. Një ndeshje që është luajtur deri diku e barabartë mes skuadrave, por që në fund diferencën e ka bërë përsëri Troka, i cili ka qenë vendimtar me pikët e tij për Studentin e Ylli Tomorrit.
Është përpjekur Ferhati të jetë në të njëjtin nivel me të, duke qenë se është pika kryesore e sulmit bardheblu, por nuk ka mundur të gjejë gjuhën e përbashkët me pjesën tjetër të ekipit. Përtej dëshirës, Tirana dje ka luajtur me hope për të mos thënë me dy fytyra, herë mirë e herë keq.
Në fakt Studenti dje ka pasur si pikë të fortë shërbimet e sakta me pikë, kurse Tirana është dalluar për bllokun, sidomos me anë të Pepës. E gjithë pjesa tjetër më pas është përshkruar nga mënyrat për të gabuar sa më pak, por dhe nga protestat nga ana e të dyja skuadrave.
Aq sa ndërkombëtari Konalsi Gjoka nuk e ka kursyer kartonin e verdhë për trajnerin Tomori, si dhe për njërin prej lojtarëve të Tiranës. Tashmë pritet një tjetër ndeshje të dielën në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, gjithnjë nëse Tirana nuk do të jetë e dorëzuar kaq lehtë.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Programi i finaleve të “play-off”-it
për titullin “kampion”
21 prill 2016:
Studenti – Tirana 3-1 (1-0)
(26-24, 23-25, 25-17, 25-19)
24 prill 2016:
Tirana – Studenti ora 19:00
27 prill 2016:
Studenti – Tirana ora 19:00
30 prill 2016:
Tirana – Studenti ora 19:00
(nëse do të jetë e nevojshme)
3 maj 2016:
Studenti – Tirana ora 19:00
(nëse do të jetë e nevojshme)