Gjergj Vyshka 05.12.2016 07:05
Studenti në volejboll për meshkuj është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë në “Challenge Cup” me turqit e Zirat Bankasi të Ankarasë. Një ndeshje, e cila, jo vetëm sipas Federatës Evropiane të Volejbollit, por dhe shefit të klubit shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, do të zhvillohet të mërkurën në ora 16:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
“Për anën e drejtimit të ekipit, – thotë Nallbani, – ka një trajner, i cili përgjigjet për gjithçka. Kurse unë si shef klubi dhe i gjithë stafi im përgjigjemi për nga ana organizative dhe besoj se deri në këtë moment skuadrës nuk i ka munguar asgjë. Tani, sipas programit që kemi ndërtuar, skuadra turke vjen sot dhe do të akomodohet në hotel “Mondial”.”
“Të martën rreth orës 16:30-17:00 do të bëjë stërvitje në “Asllan Rusi”, megjithëse varet dhe nga shtrimi i tarafleksit, që është pjesë e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet”, – ka shtuar ai. Federata Evropiane e Volejbollit ka caktuar dhe gjyqtarët e ndeshjes Studenti-Zirat Bankasi Ankara. I parë do të jetë greku Aleksandros Milonakis dhe i dytë kroati Miroslav Milinoviç. Kështu, Studenti është gati për ndeshjen e parë me turqit e Zirat Bankasi Ankara