Gjergj Vyshka 07.02.2015 12:15
Trajneri Ylli Tomorri, ashtu sikurse ka bërë në fazën e grupeve sidomos ndaj Vllaznisë dhe Farka Volejit, dhe dje nuk e ka ndarë për asnjë çast kapitenin Elton Tukseferi. Dhe atëherë kur ka tentuar në dy momente të fuste në lojë organizatorin Çali menjëherë e ka hequr, sepse durrsakët e ngushtonin diferencën e rezultatit. Ajo që duhet përmendur është fakti se durrsakët me anë të Aldo dhe Jurgen Dashit, Nazifit dhe Bardhit, Vorës e Mokut kanë luajtur në grup dhe si një ansambël i tillë mund të kishin bërë surpriza.
Në setin e parë pas avantazhit të Studentit në pushimin e parë teknik 12-11, Teuta ka arritur ta kthejë dhe për rrjedhojë nis të jetë gjithnjë në udhëheqje të rezultatit. 18-19, 19-22, 20-22, 23-25 në fund të setit të parë. Në të dytin Studenti nuk bën më aventura, por fiton shpejt 25-17. Përsëri dhe në të tretin është në udhëheqje të rezultatit 12-11, 14-11, 18-15, 20-18 dhe në fund 25-21. I katërti ka nisur me dëshirën e madhe të Teutës për përmbysje, e cila është në avantazh deri në 14-18.
Por Studenti kthen dhe fiton 25-21 e krejt ndeshjen 3-1. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Vasiliev me 14 pikë i pasuar nga Jurgen Dashi me 13 pikë. Në bllok ka dalë fitues Bardhi me 5 mure fituese i pasuar nga Nazifi me 4 mure fituese. Në shërbim me nga dy të sakta janë Vuldiev i Studentit, J.Dashi dhe Vora të Teutës. Në total Studenti në katër sete ka realizuar 98 pikë, prej të cilave 67 vetë, kurse 31 pikë kanë ardhur nga gabimet e Teutës.
Në krahun tjetër Teuta në katër sete ka shënuar 84 pikë, prej të cilave 69 vetë, kurse 15 kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Në këto kushte Teuta ka gabuar më shumë, teksa mesatarisht ka falur 7.75 pikë për set. Kurse kampionët, pavarësisht se loja e tyre nuk ka shkëlqyer shumë, ka 3.75 pikë për set. Në këto kushte, me shumë profesionalizëm dhe përvojë, Studenti ia ka dalë të jetë fitues i sfidës me Teutën.
Studenti – Teuta 3-1
(23-25, 25-17, 25-21, 25-21)
Studenti: Tukseferi, Kono, Rrashketa, Malaj, Vuldiev, Vasiliev, Gorenxa (L) / Qerraxhija, Muça, Memia, Çali. Trajner: Y. Tomori
Teuta: A. Dashi, J. Dashi, Nazifi, Bardhi, Moku, A.Vora, Rusi (L) / G. Vora, Biduli. Trajner: L. Marangoni
Gjyqtarë: Ko. Gjoka (Tiranë), R. Kuka (Vlorë)
Asistentë : J. Sorra, K. Agolli (Tiranë)