Gjergj Vyshka 08.02.2015 11:50
Të besuarit e Ylli Tomorit janë fitues për herë të 12-të të Kupës së Shqipërisë. Pas asaj gjysmëfinale heroike me Tiranën, Farka Volej ishte e pafuqishme të përballonte kampionët. Studenti ka fituar për herë të 12-të Kupën e Shqipërisë në Volejboll për Meshkuj.
Por finalen e djeshme, edhe falë përvojës së gjatë të të fituarit të trofeve, apo dhe kualiteteve që ka në skuadër, e ka kthyer në formalitet. E thënë ndryshe, përtej dëshirës dhe mbështetjes së madhe të tifozerisë, Farka Volej ishte e pafuqishme për të përballuar skuadrën e përvojës që di se si fitohet një Kupë.
Sepse pas një gjysmëfinale heroike e titanësh me Tiranën, Farka Volej ka qenë e lodhur dhe shumë pak ka bërë nga gjërat e saj më të mira. Studenti, edhe duke pasur në fushë kapitenin Tukseferi, e ka nisur shpejt dhe bindshëm lojën.
Rrashketa dhe Kono, Vasiliev e Vuldiev, Malaj nuk lëshojnë “pe” për asnjë çast. 3-0 për Studentin dhe Kupën kapitenin Tukseferi ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Adrian Doçi.
Studenti – Farka Volej 3-0
(25-15, 25-17, 25-9)
Studenti: Rrashketa, Malaj, Tukseferi, Vasiliev, Vuldiev, Kono, Gorenxa (L) / Muça, Çali, Memia, Kasa, Qerraxhia. Trajner: Y. Tomorri
Farka Volej: Qepa, Nimani, Deliu, Bajrami, Metani, Koçi, Palushi (L) / Vllaçaj, Bërdufi (L). Trajner: D. Bardhi
Gjyqtarë: E. Zguri, A. Telo (Tiranë)
Asistentë: E. Kurti, E. Dusha (Tiranë)