AlbanianSport.com 01.02.2017 18:00
ASNN – Tanimë është konfirmuar Partizani ka afruar një volejbollist ukrainas dhe përgatit ceremoninë e Tukseferit. Kryesuesja e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, pas përfundimit të fazës së parë, ka konfirmuar blerjen e lojtarit ukrainas Artur Stepashkin.
Një njohje e hershme e shtatlartit për kampionatin shqiptar, i cili, përpara dy sezoneve më parë, është aktivizuar në radhët e bardhebluve të Tiranës. Lajmin e përforcimit e konfirmoi për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, trajneri i mirënjohur i të kuqve kryeqytetas, Ylli Tomori.
“Po përgatitemi për ndeshjen e radhës të shtunën me Tiranën, – ka thënë ai për të përditshmen në fjalë. – Po ju njoftojmë se të shtunën do të organizojmë edhe një ceremoni të lënies së volejbollit të sportistit Tukseferi. Meqenëse ai e ka nisur karrierën me Tiranën, mendoi t’i japë lamtumirën po me këtë skuadër.”
“Tashmë unë do të kem 12 lojtarë dhe Tukseferi do të jetë në stol me mua, – ka sqaruar Tomori. – Pra, me licencë me vete. Së fundmi, kemi afruar një volejbollist ukrainas, Artur Stepashkin. Ka luajtur me Tiranën përpara dy viteve kur ne dolëm “kampionë”. Është sulmues.”
“Ai ka rreth një javë që i është bashkuar skuadrës dhe po stërvitet. Lojtari është marrë për të qenë deri në fund të sezonit. Dëshira jonë ishte të merrnim edhe 2-3 lojtarë të tjerë, por nuk patëm kohën e mjaftueshme në dispozicion, pasi më 31 janar është mbyllur edhe merkatoja e rrjetës”, – ka përfunduar trajneri i Partizanit, Ylli Tomori.