AlbanianSport.com 27.09.2015 07:55
ASNN – Ndeshja e parë e Kupës “Donald Suxho” ka filluar disi me vonesë, kjo pasi skuadra e shqiptarëve të Maqedonisë, Iliria e Zherovjanit ka mbërritur me vonesë në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës. Sidoqoftë, vlen për t’u përmendur se ky takim ka zgjatur afërsisht dy orë për shkak të rivalitetit të të dy ekipeve.
Binte në sy tek shqiptarët e Maqedonisë prania e katër lojtarëve me mbiemrin Ferati në fushën e lojës, ndërkohë që H. Ferati bënte njëkohësisht rolin e trajnerit dhe të lojtarit. Duhet thënë se korçarët e nisën mirë ndeshjen duke shfrytëzuar edhe lodhjen nga rruga të fqinjëve nga Maqedonia. Kjo bëri që dy setet e para të fitoheshin lehtësisht nga Skënderbeu, 25-17 dhe 25-19.
Kur u duk se gjithçka do të mbyllej me fitoren e pastër të Skënderbeut janë miqtë nga Maqedonia që kthejnë krejtësisht lojën. 20-25 në të dy setet dhe në finale me shumë vështirësi Skënderbeu është fitues 15-13 dhe të gjithë ndeshjen 3-2. Kësisoj Skënderbeu është finalisti i parë i Kupës “Donald Suxho”, ku do të përballet me kampionen e Shqipërisë, Studentin.
Skënderbeu – Iliria e Zherovjanit (Maqedoni) 3-2
(25-17, 25-19, 20-25, 20-25, 15-13)
Skënderbeu: Haxhillari, Caci, Ndardhari, Musaka, Shëllira, Beqiraj, Dhimitri, Adili, Sotiri. Trajner: A. Prifti
Iliria: Nikollovski, S. Ferati, Gjorgjevski, A. Ferati, H. Ferati, Jovanovski, Muslliu, M. Ferati, H. Veseli. Trajner: H. Ferati
Gjyqtarë: M. Kondakçi (Lushnjë), R.Kuka (Vlorë)