Gjergj Vyshka 18.02.2016 11:55
Bardhebluve të Ilo Kojës u është dashur shumë punë për të mundur skuadrën korçare, e cila në dukje ishte e lodhur, por brenda vetes kishte aq brumë sa për të bërë “gjëmën”. Por i mungon lidhja e grupit
Por që në fakt me brumin që ka është në gjendje t’i bëjë gjëmën edhe skuadrave pretendente. Ajo që mungon është lidhja e grupit, ndërsa Skënderbeut të Priftit i bashkëngjiten tre lojtarë me vlera vetëm ditën e ndeshjes.
Është fjala për Sejatin e Pirën, të cilët dje kanë mbajtur peshën kryesore, por dhe për shkodranin Drinasi, i cili dje ka mbërritur diku nga mesi i setit të dytë, sepse nuk ka mundur të vijë me një frymë nga kryeqendra e Veriut. E sikur këta të tre të kishin një lidhje më të fortë me pjesën korçare duke nisur këtu që nga lojtari i lirë Shishi, apo Ndardhari e Haxhillazi, e më pas dhe të rinjtë Museka e Shëlliza, atëherë Skënderbeu pa një e pa dy do të ishte si në kohët e tij më të mira.
Pse jo në renditje edhe mbi Farka Volejin ose ndoshta në të njëjta hapa me skuadrat që sot kërkojnë “play-off” për titull “kampion”. Por realiteti është një humbje 0-3 ndaj Tiranës edhe atëherë kur seti i tretë është krejtësisht në dorën e miqve.