Gjergj Vyshka 28.05.2016 09:35
Shqipëria në volejboll për meshkuj e ka humbur miqësoren e parë dje në Budva ndaj skuadrës vendëse të Malit të Zi, 1-3. 25-22 seti i parë për malazezët, 23-25 i dyti për kuqezinjtë dhe më pas dy sete radhazi nga malazezët 25-20 dhe krejt ndeshje 3-1. Sot do të luhet ndeshja e dytë, atje ku pritet të jetë i pranishëm dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Sipas drejtorit teknik të kombëtares së meshkujve, Dritan Çuko, kjo ndeshje e kombëtares pas gati 3 vjetësh mungesë duhet parë me syrin pozitiv. “Pati momente, – thotë Çuko, – që kombëtarja e djemve e tregoi potencialin e saj. Por sigurisht që pati dhe momente në të cilat ne duhet të punojmë për të qenë ndryshe. Ne presim që skuadra të përmirësohet sot në lojën e saj, për të mos përsëritur gabimet që ka bërë dje.”
“Dhe në analizën që do të bëjnë trajnerët lojtarët do të duhet të korrigjohen për të mos bërë të njëjtat gabime”, – ka shtuar ai. Dhe kjo ishte miqësorja e parë e kuqezinjve të rrjetës për djem që pas grumbullimit për të marrë pjesë në Ligën e Evropës. Nga data 10, deri më 12 qershor 2016 në Varna dhe nga data 17, deri 19 qershor 2016 në Shkup përballë Bullgarisë, Maqedonisë dhe Danimarkës.