AlbanianSport.com 05/02/2019 19:50
ASNN – Erzeni në volejboll për meshkuj ka një ecuri mjaft të mirë në kampionat, duke qenë në vend të parë së bashku me Vllazninë. Ekipet e tjera janë më pas por dukshëm rivalizuese, si Tirana dhe Partizani. Këtë të fundit, Erzeni i trajnerit Ben Sako e mundi me shifrat 3-1 të shtunën e kaluar, duke bërë që skuadra shijakase të forcojë edhe më tej pozitat e saj në renditje, duke qenë tashmë në kuotë të barabartë pikësh me Vllazninë.
Duke folur për të përditshmen sportive “Panorama Sport”, trajneri i Erzenit Arben Sako, e përshkroi me ngjyra ndezëse ecruinë e skuadrës e sidomos fazën përgatitore, që sipas tij ka qenë e ngjeshur, voluminoze dhe mjaft efektive, duke mos kursyer fjalët e mira për grupin, por njëherësh duke vendosur objektiv primar titullin “kampion” si dhe fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë. Sako beson se Erzeni i tij do t’ia dalë mbanë të marrë më të mirën.
“Erzeni është një skuadër që i ka shumë të qarta objektivat, – theksoi që në fillim trajneri i Erzenit. – Faza përgatitore njëmujore që ne zhvilluam në këtë periudhë na dha rezultatet që ne kërkonim. E vlerësuam maksimalisht nisjen e fazës së dytë të kampionatit, por edhe rivalët tanë në garë. Bëmë një fazë përgatitore serioze, ku zhvilluam edhe disa ndeshje miqësore, por edhe goditje në merkato dhe unë besoj që skuadra është e konsoliduar për të arritur objektivat.”
“Partizani është hëpërhë në vend të 5-të, por ata, së bashku me Vllazninë, janë skuadrat që janë forcuar më shumë në merkato, – vijoin Sako. – Unë besoj se pikërisht këto dy skuadra do të jenë rivalet më të forta të Erzenit në rrugën drejt titullit. Ne do t’i marrim të gjitha ndeshjet me radhë, duke i kushtuar rëndësi çdo kundërshtari. Tashmë kemi një sfidë të rëndësishme me Vllazninë, me të cilën ndajmë kreun e renditjes së kampionatit.”
“Por objektivat tona dihen, unë e kam thënë edhe më parë, Erzeni lufton për të fituar kampionatin por edhe Kupën e Shqipërisë. Kjo s’do të thotë që ne duhet të reklasohemi e të flemë gjumë, përkundrazi, ne po punojmë cdo ditë e më shumë dhe besoj se në mars dhe prill, ku ndahen fatet sezonit, do të jemi në kapacitetin tonë maksimal”, ka përfunduar trajneri i Erzenit, Ben Sako.