AlbanianSport.com 17/10/2018 10:40
ASNN – Sako i Erzenit i kundërpërgjigjet Tomorit: Lëre modestinë, Partizani është për titull. Trajneri i skuadrës shijake, kampione në fuqi në volejboll për meshkuj, Ben Sako, i është përgjigjur homologut dhe njëherësh rivalit të tij të Partizanit, Ylli Tomori, në lidhje me objektivat e skuadrave dhe pritshmëritë e tyre për titullin “kampion” të këtij sezoni të rrjetës shqiptare të djemve.
Tomori, trajner me eksperiencë, tha dy ditë më parë se shihte si favorit për titull Erzenin, por ai ka marrë përgjigje nga Sako, që thotë se, sikundër Erzeni, edhe Partizani është ekip me pretendime dhe për më tepër një ekip që ka një trajner me përvojë në krye të grupit. “Mendoj që është ende herët për të bërë parashikime se cilat skuadra janë favorite”, – ka thënë trajneri i shijakasve, i cituar nga e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
“Pas përfundimit të fazës së parë do të kemi një ide më të qartë rreth skuadrave dhe objektivave të tyre, – vijoi Sako. – Erzeni ka si rival çdo ekip që ka përballë, aq më tepër Partizanin, i cili dihet që është gjithmonë një skuadër pretendente për të dalë “kampion” dhe mbi të gjitha ka një trajner ambicioz. Ajo çfarë deklarohet nuk përputhet me realitetin dhe unë jam i mendimit që Partizani ka objektiva të larta si për sa i përket kupës, ashtu dhe kampionatit.”
“Unë këtë gjë e kam të qartë si trajner, pasi kam shumë vite që drejtoj dhe duke i ditur aftësitë që kanë kundërshtarët, them që Partizani, Tirana, Vllaznia apo dhe Skënderbeu kanë pretendime për titullin këtë sezon”, – theksoi ndër të tjera trajneri i njohur i volejbollit të meshkujve, duke folur për të përditshmen në fjalë. Në fund, Sako deklaron: “Është më e vështirë për ta mbrojtur titullin sesa për ta fituar atë.
“Por mund t’ju them se skuadra e Erzenit, me këtë stërvitje që ka kryer dhe me përbërjen që ka, mendoj se do të jetë sërish skuadra pretendente për titullin “kampion”,” – ka garantuar trajneri i kampiones në fuqi, Erzenit, Ben Sako.