Gjergj Vyshka 14.05.2016 08:45
Trajneri: “Falënderoj drejtorin e klubit shumësportësh, Shkëlqim Muça, i cili zgjoi një ëndërr të kahershme që flinte tek unë. Dera është e hapur për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij projekti.” Ashtu sikurse ishte paralajmëruar prej ditësh, dje në mesditë, Ylli Tomorri është prezantuar si trajneri i Partizanit në volejboll për meshkuj.
Përkrah drejtorit të klubit shumësportësh Shkëlqim Muça, por dhe miqve të tij, Tomorri ka qenë më shumë se i kënaqur që i ka dhënë jetë një projekti të cilit e mendonte prej vitesh. Sipas Tomorrit, ardhja tek Partizani, skuadra në të cilin është rritur si lojtar duke marrë edhe trofe, do të thotë një rikthim të këtij ekipi pas gati 10 vjetësh mungesë.
Por rikthim, sipas idesë së një trajneri kampion, me trofe. “Jam shumë i kënaqur për këtë pjesëmarrje në këtë konferencë për shtyp, për këtë interesim, ndërsa pas 35 vjetësh tek Studenti, një projekt që i dha frytet e veta, rikthehem tek Partizani”, – tha ai gjatë konferencës së sotme për shtyp.
“Gjatë gjithë kohës në idenë time ka fjetur ky projekt për rikthimin tek Partizani, skuadra në të cilën unë jam rritur. Por falënderoj drejtorin e klubit shumësportësh të Partizanit, Shkëlqim Muça, për rizgjimin e kësaj ëndrre”, – ka përfunduar trajneri i ri i të kuqve kryeqytetas, duke folur në mjediset e KF Partizanit.