Gjergj Vyshka 13.11.2015 20:45
Nisur nga ballafaqimi me serbët edhe për t’u ruajtur ndonjë incidenti që do të prishte të gjithë imazhin e ndeshjes e për pasojë mund të sillte edhe një dënim për Studentin, forcat e policisë kanë qenë të shumta në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Jo vetëm forca të komisariatit 2 dhe 3, por dhe forca të patrullave “Shqiponja”.
Por teksa kanë qenë rreth 450 shikues, ndeshja ka kaluar pa incidente dhe me shumë qetësi. Ndërkaq, në ndeshjen e djeshme edhe me ftesë të klubit të Studentit të pranishëm në ndeshje ka qenë një delegacion kosovar, i cili ka qenë i kryesuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Kosovës, Abedin Ibrahimi.
Ai ka qenë i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Blerim Gërguri, si dhe dy anëtarët e kryesisë Hysni Prelvukaj dhe Agron Istogu. Së bashku me ta kanë qenë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erind Pëllumbi, dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola. Pa harruar këtu drejtorin e klubit Studenti, Blendi Nallbani.