AlbanianSport.com 10.09.2015 20:35
ASNN – Pavarsisht se volejbolli si sport është hëpërhë në një kaos të përgjithshëm, si në aspektin si organizativ, ashtu edhe në atë financiar, për shkak të krizës ku është zhytur Federata Shqiptare e këtij sporti, kjo nuk i privon aspak klubet të vënë piketat për sezonin sportiv 2015- 2016.
Kështu janë konfirmuar dje edhe disa nga lëvizjet e para të bëra nga skuadra nënkampione e Tiranës në volejboll për meshkuj. Organizatori Adri Arapi dhe sulmuesi Asmend Kula prej disa ditësh i janë bashkuar stërvitjes së bardhebluve nën drejtimin e trajnerit Arben Sako.
Lajmi konfirmohet për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport” nga vetë kreu i pankinës kryeqytetase. Sipas tij, dy volejbollistët, të aktivizuar edicionin e fundit me skuadrën e Elbasanit, premtojnë shumë për të ardhmen dhe do të jenë përforcime të rëndësishme për ekipin.
Ndërsa një vit më parë Tirana “flirtoi” me titullin kampion pas finaleve maratonë në derbin e kryeqytetit, këtë edicion Tirana e trajnerit Sako kërkon me çdo kusht fitimin e trofeut të shumëpritur nga tifozëria. Kësisoj edhe nuk ka vonuar të hidhet në sulm në merkato duke bërë dy goditjet e para, por jo të fundit sipas njëshit të bardhebluve.