Nga Olgert Serani 27.09.2014 14:47
U desh një pikë “in extremis” (pika e 13-të) që përçau edhe dy gjyqtarët e finales së Kupës së Federatës, Fatos Mujo (kryesor) dhe Refet Kasmi (ndihmësi) që ndeshja të degjeneronte në sherr mes Studentit dhe gjyqtarëve. Tensionit nuk i shpëtoi as vetë trajneri Ylli Tomori. Por nga kjo përfitoi Tirana 3-2 me sete, e cila mbron kështu trofeun e fituar pikërisht një vit më parë ndaj të njëjtit rival. Deri në setin final gjithçka ishte model, por fundi sfumon gjithçka përtej parashikimeve me skena jo të hijshme sa u desh ndërhyrja e policisë.
Studenti gjeti forca të bënte mrekullinë duke përmbysur avantazhin e dy seteve të para të kundërshtarëve 25-11, 25-18. Gjithë kohës nën inferioritet ndaj bardhebluve, Studenti e çon sfidën me set final. Me Rrashketën protagonist, “armata” e trajnerit Tomori merr shpejt kryesimin 3-0, 5- 1. U duk thuajse e mbyllur, por Tirana nuk dorëzohet për të lënë fronin e Kupës së Federatës. Rikuperon në 5-4. Më pas ndeshja është dramatike. Pas barazimit 6-6, volejbollistët e Sakos kalojnë një pikë përpara dhe marrin zemër sa shkëputen në tri pikë (7-10).
Studenti ia kthen reston në moment dhe vendos sërish ekuilibrat 10-10. Një faull i pretenduar nga kampionët, por i dhënë pikë nga gjyqtari Mujo për Tiranën, bëhet shkak që situata të dalë jashtë kontrollit. I indinjuar me vendimin e kryesorit, e gjithë pankina e Studentit i hakërrehet Mujos, më i nervozuar është Memia, i cili deri atë moment ishte nga më të mirët e mbrëmjes. Por sulmi ndaj tij i kushton karton të verdhë dhe më pas të kuq që rikonfirmon 15-13 Tiranën fituese të Kupës së Federatës. Situata nxehet edhe më shumë dhe penalizimet me kartonë nuk reshtin.
Jo më pak i nervozuar duket edhe veterani Tukseferi. Ndërsa Tirana feston nga krahu tjetër trofeun e parë të sezonit, Studentin nuk e qetësojnë as drejtuesit e Federatës presidenti Adrian Doçi e sekretari Leonard Tase. “Rebelimit” të Studentit u bashkohen edhe të afërm të volejbollistëve. Ndërsa presidenti Doçi tenton të ulë gjakrat te Studenti, numri një i kësaj i përgjigjet se vendimi i gjyqtarit atë çast ka qenë i qëllimshëm. Trajneri Tomori shkon edhe më tej sa deklaron se ishte faji i Studentit që mori pjesë në këtë veprimtari.
I bindur se Mujo kishte gabuar, në prezencë të të gjithëve, trajneri Tomori u drejtohet t’i rishikojnë edhe një herë pamjet. Por më kot, protokolli u firmos. Trofeu dorëzohet mes kaosit, nuk mungojnë as ironitë dhe provokimet nga kampi bardheblu për pretendimet e ngritura kot sipas tyre të palës tjetër. Një nisje e turpshme e edicionit…
Studenti – Tirana 2-3
(11-25, 18-25, 25-14, 25-15, 13-15)
Studenti: Çali, Rrashketa, Memia, L. Martiro, Malaj, Qerraxhija, Muça (L) / Drinasi, Tukseferi, K. Martiro, Gorenxa (L). Trajner: Y. Tomori
Tirana: Pepaj, Xhija, A. Lundra, Xhabrahimi, Kola (L), Ferhati, G.Lundra / Kupi, Rama, Batalli, Sejati, Ndoni. Trajner: A. Sako
Gjyqtarë: F. Mujo, R. Kasmi (Tiranë)