Gjergj Vyshka 21.12.2016 14:20
Kapiteni Pepaj: “Akoma nuk i kemi treguar vlerat tona si skuadër, ndërsa përpara kemi sfida të vështira. Por mund të dalim “kampion”. Studenti do të mundohet të tregojë një tjetër paraqitje, pavarësisht momenteve të vështira që po kalon, sidomos pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë. Dhe për këtë arsye, Pepaj thotë se të gjithë janë të mërzitur për shkakun se skuadra nuk ka shfaqur vlerat e saj më të mira.
“Ne jemi të zhgënjyer për faktin se nuk i treguam vlerat tona dhe lojën tonë në Kupën e Shqipërisë, – ka thënë ai. – Ne tani po stërvitemi, sepse sot luajmë në një tjetër veprimtari, që është shumë më lart krahasuar me nivelin tonë. Por është një veprimtari që do t’i shërbejë së ardhmes sonë për t’u rritur teknikisht, sidomos për lojtarët e rinj, sepse do ta kenë si një eksperiencë për ecurinë në kampionatin shqiptar.”
Madje Pepaj, që beson se kjo skuadër ka potencial për të qenë “kampione” e Shqipërisë. “Akoma, – shpjegon kapiteni i Studentit, – skuadra nuk i ka treguar vlerat e saj, ndërsa kemi përpara sfida më të vështira. Por skuadra ka potencialin e duhur për të luftuar për titullin kampion”. Dhe në mbyllje, në prag të sfidës së dytë me turqit e Zirat Bankasi Ankara, Pepaj e ka një mesazh për të gjithë.
“Në radhë të parë dua t’i falënderoj për mbështetjen e tyre dhe kur kemi marrë rezultate negative, – ka theksuar volejbollisti. – Ato janë forca jonë dhe shpresoj që t’i gëzojmë sot me lojë të bukur përballë skuadrës së vendit të parë në kampionatin turk.”