AlbanianSport.com 11.03.2016 17:05
ASNN – Në ceremoninë e dorëzimit të kupës për Studentin fitues kanë qenë të pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola. Po kështu ka qenë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani; Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, dhe shefi i klubit shumësportësh “Vllaznia”, Mark Krroqi.
Por gjithashtu ka qenë edhe Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi. Kupën kapitenit të Studentit, Elton Tukseferi, ia ka dorëzuar presidenti i volejbollit shqiptar, Erlind Pëllumbi. Duke folur në përfundim të finales, ky i fundit do të deklaronte: “Ishte një veprimtari me nivel cilësor, madje do ta cilësoja, me nivel shumë të mirë.”
“Vetë rezultatet tregojnë se niveli i volejbollit është në rritje, ndoshta jam pak i emocionuar, por edhe kjo ndeshje finale kishte emocionet e veta, ku edhe shifrat përfundimtare e tregojnë më së miri një gjë të tillë, – ka vijuar Pëllumbi. – Dua të them se jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie të këtyre përmasave dhe për nivelin e paraqitur në fushën e lojës.”
“Teuta është një ekip kompakt, nuk mund ta quaja surprizë duke qenë në lartësinë e saj, por Studenti e meritoi trofeun”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.