Gjergj Vyshka 17.06.2016 22:10
Presidenti Pëllumbi: “Sikur të kishim luajtur kështu dhe në Varna të jeni të bindur që do të kishim kaluar grupin. Megjithatë pres që me të njëjtin vrull të luajnë dhe përballë Bullgarisë dhe Danimarkës.” Për kreun e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, kjo ka qenë ndeshja më e mirë e tanëve në Ligën e Evropës. “Sikur të kishim luajtur kështu dhe në Varna të jeni të sigurt që do ta kishim kaluar grupin”, – ka deklaruar ai.
“Megjithatë ka shenja përmirësimi të një skuadre që ka luajtur me dinjitet dhe këtë gjë e kërkoj dhe ndaj Danimarkës e Bullgarisë. Rritja është e dukshme”, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar. Në këtë ndeshje pikëshënuesi më i mirë ishte Nikola Gjorgiev me 31 pikë i ndjekur nga Gazmend Husaj me 25 pikë. Në bllok kanë dalë fitues me dy mure fituese Josifov, Despotovski, Ljaftov, Simovski, Koçi dhe Kula. Në shërbim Despotovski me dy.
Në total në pesë sete Maqedonia ka realizuar 108 pikë prej të cilave 74 pikë vetë, kurse 34 pikë kanë ardhur nga gabimet e tanëve. Në anën tjetër Shqipëria në pesë sete ka shënuar 101 pikë prej të cilave 69 pikë vetë, kurse 32 pikë kanë ardhur nga gabimet e maqedonasve. Edhe shifrat flasin për një humbje të pamerituar të kuqezinjve. “Por ky është volejbolli”, – ka përfunduar Pëllumbi.