AlbanianSport.com 17/04/2018 10:40
ASNN – Pas një dueli prej dy orë e 23 minutash, shijakasit ia kanë dalë të jenë fitues ndaj Partizanit me set final 3-2. Festë tek shijakasit. Partizani e ka nisur mirë ndeshjen, ndërsa pas pikëve të para, që vijnë barazim deri në 3-3, kjo dhe për shkak të gabimeve në shërbim dhe në sulm, arrin të shkëputet në 6-4, 8-6, 14-10, 16-11, 21-14 dhe e merr setin 25-19. Me të njëjtin ritëm ka nisur dhe setin e dytë, teksa ka kryesuar deri në 7-3. Mirëpo një provokim i Trokës rrit zemëratën e tifozerisë shijakase, e cila nuk i ka kursyer fyerjet ndaj sulmuesit kryesor të Partizanit.
Madje ka tentativa për të shkuar dhe për t’u konfrontuar dhe me pjesën ku ndodheshin tifozët e Partizanit. Por ndërhyrja e forcave të rendit, apo dhe e vetë tifozëve të Erzenit e ka bërë situatën të qetësohet. Erzeni përmbys, ndërsa në pushimin e parë teknik është në epërsi 7-8. Ka dhe momente debati mes Gorencës dhe Çullhajt, që më pas Gjoka do t’i ndëshkonte me kartonë të verdhë. Këtë epërsi, teksa Partizani bie nën trysninë e asaj që erdhi nga tifozeria e Erzenit, shijakasit e ruajnë deri në fund; 15-16, 15-18, 16-20, 20-24 dhe në fund 22-25.
Partizani mbledh forcat, ndërsa Erzeni duket se është lëshuar në lojë. 8-5, 10-5, 16-8, 19-9 dhe të kuqtë e trajnerit Ylli Tomorri e mbyllin setin e tretë 25-17. I katërti ka dy qëllime, pra Partizani për të mbyllur ndeshjen dhe Erzeni për ta çuar takimin me set final. Ka ndodhur kjo e fundit, ndërsa skuadra e trajnerit Ben Sako kryeson 0-4, 3-8, 11-16, 13-20, 15-20 dhe fiton setin e katërt 18-25 dhe 2-2. Shijakasit e kanë nisur mirë setin final, ndërsa kanë kryesuar 3-6, 7-8, ndërsa në këtë rezultat është bërë dhe ndërrimi i fushave.
Përmbys Partizani, që del për herë të parë në epërsi 10-9, 12-11. Por vetëm kaq, janë tre barazime radhazi 13-13, 14-14, 15-15. Gabohet në shërbime, kurse Erzeni del në epërsi 15-16. Blloku fitues i Nazifit dhe Jurgen Dashit jep fitoren e Erzenit, 15-17 dhe krejt ndeshjes 3-2. Salla Sportive “Feti Borova” ka përjetuar paskëtaj festën e shijakasve, ndërsa janë bërë bashkë tifozë dhe volejbollistë. Dhe tashmë pritet që ky entuziasëm të jetë dhe në Sallën kryesore të Akademisë “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj të Durrësit të enjten, duke nisur nga ora 19:00.
Partizani – Erzeni 2-3 (0-1)
(25-19, 22-25, 25-17, 18-25, 15-17)
Partizani: Çali, Troka, Malaj, Medenica, Pepaj, Milosavljeviç, Gorenca (L), Qerraxhija (L) / Kono, K. Martiro, Kasa. Trajner: Y. Tomorri
Erzeni: Çullhaj, Kula, Urdov, A. Dashi, Nazifi, Lundra, Bërdufi (L) / Uruçi, Arapi, A. Vora, J. Dashi. Trajner: A. Sako
Gjyqtarë: Ko. Gjoka, E. Dusha (Tiranë)
Ndihmës: E. Papamihali, A. Nurja (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Finalet e “Play-off”-it
Ndeshja e parë:
16 prill 2018:
Partizani – Erzeni 2-3 (0-1)
(25-19, 22-25, 25-17, 18-25, 15-17)
Salla Sportive e Lojërave me Dorë “Feti Borova”, Tiranë
19 prill 2018:
Erzeni – Partizani ora 19:00
Salla Kryesore e Akademisë “Dhimitraq Goga”, Durrës
22 prill 2018:
Partizani – Erzeni ora 19:00
Salla Sportive e Lojërave me Dorë “Feti Borova”, Tiranë