Gjergj Vyshka 02.02.2017 11:35
Në qendër të vëmendjes së javës së 10-të të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj do të jetë kryendeshja e kampionatit, Tirana-Partizani, ndërsa do të bëhet dhe ceremonia e mbylljes zyrtare të karrierës së Elton Tukseferit, lojtar që hapat e para më 1992 si profesionist i ka pasur pikërisht tek bardheblutë, në Sallën “Fahrie Hoti” të kryeqytetit.
Numëron 12 tituj “kampion”, dy me Tiranën (1992-1993, 1993-1994) dhe 10 me Studentin (2001-2002, 2003-2004, 2004-2005, 2008-2009, 2009-2010, 2011-2012, 2012-2013, 2013-2014, 2014-2015, 2015-2016). Po kështu, ka fituar një Kupë të Shqipërisë me Tiranën më 1993-shin, si dhe 12 Kupa të Shqipërisë me Studentin (2001, 2002, 2004, 2005, 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2014, 2015 dhe 2016).
E në karrierën e tij ka dhe dy sezone me Dinamon, pa thënë për gati një dhjetëvjeçar ka qenë edhe kapiteni i kombëtares. E sot ndihmëstrajner i Partizanit, por gjatë kohës që luante, ka provuar të ishte dhe trajneri i të rinjve të Studentit. E për të gjitha këto, duke e cilësuar si një mbyllje zyrtare të karrierës si lojtar, Elton Tukseferit do t’i bëhet ceremonia e lamtumirës pikërisht aty ku e nisi, tek Salla Sportive “Fahrie Hoti”.
Në fund të fundit, Tukseferi është një legjendë e pashpallur, por e gdhendur si i tillë me të gjitha trofetë që ka fituar për periudhën e kohës të pas viteve 1990. Një ceremoni në të cilën, të paktën sipas konfirmimit për “Sport Ekspres”, përveç dy klubeve Tirana e Partizani, do të jenë dhe drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Volejbollit me në krye presidentin Erlind Pëllumbi.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 10-të:
(4 shkurt 2017)
Skënderbeu – Studenti ora 13:00
Erzeni – Elbasani ora 17:00
Tirana – Partizani ora 18:30
Teuta – Farka Volej ora 19:00
Vllaznia pushim