Gjergj Vyshka 20.04.2017 10:05
Shefi i Klubit Shumësportësh “Studenti”: “Kam lojtarët më të mirë në Shqipëri, kam trajnerin më të mirë në vend, e meritojnë trofeun. Dalja e Studentit në finalen e titullit “kampion” në volejboll për meshkuj, teksa është në fakt është fituese në fuqi e këtij trofeu dhe duhet ta mbrojë këtë kupë, e ka bërë të kënaqur shefin e klubit shumësportësh, Blendi Nallbani.
Madje ka gjetur momentin për të kërkuar dhe një farë faljeje, sepse nuk ka besuar në ato që në fillim të këtij viti thoshte trajneri aktual, Arben Sako. “Është jashtëzakonisht gjë e madhe që ne jemi në finalen e titullit kampion në volejboll për meshkuj, – ka thënë ish-futbollisti i Tiranës, Partizanit dhe Kombëtares, tanimë drejtues i klubit “Studenti”. – E për më tepër, e merituar.”
“Kam lojtarët më të mirë në Shqipëri në skuadrën e meshkujve, një pjesë e të cilëve janë në kombëtare, – ka vijuar ai. – Kam trajnerin më të mirë të volejbollit në vend, Arben Sako. Ajo që deklaroi është se klubi do t’i përmbushi të gjitha detyrimet financiare për lojtarët, ndërsa gjithçka që u takon do ta marrin. Madje nëse do të sjellin titullin kampion, që për mua është e mundshme, do të kenë dhe një shpërblim shtesë.”
“Është e merituar dhe për këtë jam më shumë se sa i kënaqur”, – ka përfunduar Shefi i Klubit Shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, duke folur për daljen e skuadrës së volejbollit të meshkuj në finalen e titullit “kampion” të këtij sezoni. Ndaj dhe për këtë arsye, Nallbani e kërkon tashmë me ngulm titullin “kampion” në volejboll për meshkuj.