Gjergj Vyshka 05.12.2016 15:25
Shefi i Klubit Shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, ka treguar se hyrjen për njerëzit e ka bërë falas për ndeshjen e parë në “Challenge Cup” në volejboll për meshkuj me turqit e Zirat Bankasi të Ankarasë. “Sepse njerëzit nuk afrohen kur nuk është me bileta e jo më ta bësh atë me bileta, – ka pohuar ai. – Sidoqoftë, e rëndësishme është që skuadra të paraqitet denjësisht.”
“Ne e dimë se cili është niveli i volejbollit tonë në krahasim me skuadrën që do të kemi përballë, e cila ka dhe lojtarë argjentinas e amerikanë, – ka vijuar ish-futbollisti i mirënjohur. – Por megjithatë edhe pse duket sikur nuk e kemi më atë ekip që ishte vjet kampion i padiskutueshëm, mendoj që vitet e kaluara nuk është bërë më shumë në arenën ndërkombëtare se sa mund të bëhet tani.”
“Unë parashikoj dhe kërkoj që të jemi përsëri për kampion, sepse mendoj kampionatin. Janë djem të rinj, e kanë vetë veten në dorë. Le të tregojnë më të mirë dhe të paraqiten sa më denjësisht ndaj turqve, sepse po e them dhe një herë që nga klubi nuk i ka munguar asgjë. E rëndësishme është të bëjmë mirë aq sa kemi mundësi”, ka përfunduar Nallbani.
E tashmë është gjithçka gati për ndeshjen Studenti – Zirat Bankasi Ankara të mërkurën në ora 16:00.